S’ka më vijë ndarëse mes shtetit e pushteti
Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka artikuluar disa kritika të forta ndaj mënyrës se si funksionon administrata publike nën qeverisjen e kryeministrit Edi Rama.
Nga Shkodra, gjatë një aktiviteti të qendrës rinore “Arka” me temë “Lidershipi në kohë të pasigurta”, Bushati ngriti shqetësimin për mungesën e ndarjes mes politikës dhe administratës publike, si dhe shfrytëzimin e kësaj të fundit edhe gjatë orarit zyrtar të punës.
Ish-ministri solli si shembull një takim partiak të thirrur nga Rama me drejtues të administratës publike gjatë orarit zyrtar të punës.
“Çfarë më bëri përshtypje? Dje-pardje, kryeministri kishte mbledhur në një takim drejtuesin politik të qarkut të Tiranës, ku një pjesë e mirë e të pranishmëve ishin drejtorë institucionesh shtetërore, që hynin në selinë e partisë në orar zyrtar pune. Pra, një tregues i qartë se nuk ka asnjë lloj vije ndarëse mes shtetit dhe pushtetit.
Ndërkohë që drejtori është aty për t’i shërbyer, gjatë 8-orëshit të punës të paktën, socialistit, demokratit, ballistit etj. Pas atij 8-orëshi mund të bëjë çfarë të dojë.
Në rastin e Shqipërisë nuk është çështje ndryshimi sistemi, por garantimi i fushës së lojës dhe kapaciteti, apo gatishmëria, për të pranuar humbjen e pushtetit. Në shoqëri që nuk kanë kulturë demokratike, rotacioni vjen më shumë nga gatishmëria e udhëheqësit për të pranuar humbjen e pushtetit sesa drejtpërdrejt nga vota e qytetarëve. Ne duhet të ndajmë administratën e shtetit nga partia.”, tha Bushati.
Bushati, sot lektor në Harvard University, deklaroi gjithashtu se problemet e mëdha të zgjedhjeve në Shqipëri vijnë si pasojë e faktit se politika ende nuk e ka ndarë mendjen për t’i zhvilluar ato pa vjedhje votash dhe me transparencë në financimin e partive politike.
Sipas tij një faktor i rëndësishëm është se në Shqipëri nuk garantohen njëherë e përgjithmonë rregullat e lojës.
“Kjo është muzikë për veshin, ne kemi problem themelor finacimin e jetës publike, e jetës poltike. Dhe këtu na fillon e e gjithë gjëja. Ne mund të bëjmë sistemin më të mirë, më përfaqësues por ne na duhet me garantu njëherë e përgjithmonë rregullat e lojës, duhet me e ndarë mendje nëqoftës e duam ti bëjm këto punë apo jo.”, theksoi ish ministri i PS.
Sipas Bushatit, përmirësimi i standardeve zgjedhore dhe ndarja e administratës nga aktiviteti partiak janë elemente thelbësore jo vetëm për demokracinë në vend, por edhe për avancimin e procesit të integrimit europian dhe përmbushjen e kushteve që lidhen me negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Pa rregulluar këtë, thotë Bushati, shqiptarët do vazhdojnë të vuajnë…







