Afera “Durana”, tender për laptopë në parkun që nuk ekziston
Një tjetër situatë paradoksale lidhet me parkun teknologjik të quajtur Durana Tech Park, i regjistruar në zonën e Xhafzotaj në Shijak, pranë autostradës Tiranë–Durrës. Në dokumente zyrtare, në këtë park rezultojnë të regjistruara dhjetëra kompani të teknologjisë së informacionit, të cilat përfitojnë nga lehtësira fiskale dhe përjashtime të ndryshme tatimore.
Sipas të dhënave, këto kompani figurojnë me adresë në regjistrat e Qendrës Kombëtare të Biznesit në rrugën “Ahmet Zogu”, Njësia Administrative Xhafzotaj, Bashkia Shijak. Megjithatë, në terren nuk ekziston asnjë godinë funksionale e parkut teknologjik, ndërsa aktiviteti duket se zhvillohet vetëm në mënyrë formale apo “online”.



Skema është krahasuar me modelet e njohura offshore, ku dikur kompanitë shqiptare regjistroheshin në juridiksione të largëta për përfitime fiskale, ndërsa tani regjistrohen në mënyrë formale në këtë park teknologjik. Në këmbim, sipas raportimeve, ato përfitojnë lehtësime të shumta, duke përfshirë reduktime apo përjashtime nga disa taksa dhe detyrime.
Paradoksi bëhet edhe më i madh kur shihet struktura administrative e parkut. Pavarësisht mungesës së infrastrukturës fizike, institucioni ka administratorë, drejtues dhe staf specialistësh, të cilët përfitojnë mjete transporti, karburant, dieta dhe shpenzime të tjera operative.
Së fundmi, drejtuesit e parkut kanë hapur edhe një procedurë prokurimi për blerjen e pajisjeve IT me vlerë rreth 10 mijë euro. Në listën e pajisjeve përfshihen laptopë për punonjësit dhe administratorin, kompjuterë desktop, monitorë, kamera “webcam”, kufje, tastiera, mouse dhe aksesorë të tjerë teknikë.

Ndërkohë, sipas dokumenteve zyrtare, në qershor të vitit 2025 Korporata e Investimeve Shqiptare, e drejtuar nga Elira Kokona, miratoi ndryshimin e selisë së shoqërisë “Durana Park” sh.a. në adresën në Xhafzotaj. Pas këtij vendimi u regjistruan një numër i madh kompanish në atë adresë.
Megjithatë, një verifikim në terren tregon një realitet krejt tjetër. Zona ku supozohet të jetë ngritur parku teknologjik është një ish-repart ushtarak i braktisur, që më parë i përkiste Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë. Sot, sipërfaqja është e mbuluar nga rrënoja, ferra dhe ndërtesa të dëmtuara, ndërsa në disa pjesë janë vendosur edhe stane me bagëti.
Ndërkohë, në dokumente dhe prezantime zyrtare përmenden projekte ambicioze për laboratorë teknologjie, shkolla të IT-së dhe ambiente moderne për kompanitë e teknologjisë. Por deri më tani, sipas vëzhgimeve në terren, asnjë nga këto ndërtime nuk është realizuar.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



