Dorëzohet në polici drejtori i burgut të Rrogozhinës
Iu gjetën mijëra rrënjë kanabisi në banesë
Drejtori i burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa, i shpallur më herët në kërkim në lidhje me një ambient të përshtatur për kultivim kanabisi të zbuluar në Peqin, është vetëdorëzuar në polici.
Pas paraqitjes së tij, Hasa ka mohuar çdo përfshirje në këtë aktivitet të paligjshëm, duke kundërshtuar pretendimet e bëra publike nga autoritetet. Ai ka deklaruar se prej muajsh nuk ka pasur asnjë lidhje me objektin në fjalë dhe se nuk ka qenë në dijeni të asaj çfarë mund të ketë ndodhur brenda tij.
Ndërkohë, policia e Elbasanit ka bërë me dije detaje shtesë lidhur me operacionin e zhvilluar. Sipas njoftimit zyrtar, kontrolli është ushtruar në kuadër të një plani masash për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, pas informacioneve të marra në rrugë operative.
Gjatë ndërhyrjes në një magazinë në fshatin Kurtaj, në njësinë administrative Gjocaj, janë zbuluar dy ambiente të përshtatura posaçërisht për kultivimin e kanabisit me anë të ndriçimit artificial. Në këto hapësira janë gjetur rreth 4000 bimë të mbjella.
Nga hetimet paraprake ka rezultuar se godina ku u zhvillua aktiviteti i paligjshëm është në pronësi të shtetasit me iniciale B. H., i cili për këtë arsye u shpall në kërkim nga autoritetet.
Në vijim të hetimeve, në kërkim është shpallur edhe një zyrtar i sektorit të energjisë në zonën e Peqinit, i dyshuar për shpërdorim detyre në lidhje me këtë rast.
Policia bën të ditur se operacioni vijon nën drejtimin e prokurorisë dhe se po punohet për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



