Mbi gjysmë milioni shqiptarë me pasaporta europiane:
boshatisja demografike po legalizohet
Rreth 522 mijë shtetas shqiptarë kanë marrë shtetësi në vendet e Bashkimit Europian gjatë dekadës së fundit, duke shënuar një nga transformimet më të forta demografike të vendit. Shifra përkon pothuajse drejtpërdrejt me tkurrjen e popullsisë në Shqipëri, e cila sipas të dhënave të dy censeve 2011–2023 ka rënë me rreth 420 mijë banorë.
Vetëm gjatë vitit 2024, rreth 48.2 mijë shqiptarë u pajisën me shtetësi europiane, një rritje prej 8.1% krahasuar me një vit më parë. Në tre vitet e fundit, mesatarja vjetore ka arritur në 44–45 mijë shtetësi, duke reflektuar një valë të re dhe të përshpejtuar emigrimi.
Në total, që nga viti 2010, mbi 632 mijë shqiptarë kanë marrë pasaportë të një vendi të BE-së. Kulmi i këtij fenomeni është regjistruar në vitet 2015–2016, kur numri i shtetësive të dhëna arrinte deri në 60–67 mijë në vit.
Italia mbetet destinacioni kryesor për natyralizimin e shqiptarëve, me rreth 375 mijë shtetësi të dhëna që nga viti 2008. Greqia ndjek me 264 mijë, megjithëse ka një diasporë të krahasueshme në numër me Italinë, por me politika më restriktive për shtetësinë.
Gjermania po shfaq një ndryshim të dukshëm në këtë trend. Me rregulla më të lehtësuara vitet e fundit, ky vend ka regjistruar në 2024 numrin më të lartë historik të shtetësive për shqiptarët. Ndërkohë, për më shumë se dy dekada më parë, numrat kanë qenë minimalë.
Pas tre shteteve kryesore renditen Belgjika, Franca, Suedia, Irlanda, Spanja dhe Holanda, me shifra më të ulëta por në rritje të vazhdueshme.
Fenomeni i marrjes së shtetësisë nuk është thjesht statistikë migrimi. Ai përfaqëson transformimin e emigrantëve në qytetarë të plotë të vendeve pritëse, me të drejta politike, ekonomike dhe sociale. Në të njëjtën kohë, për Shqipërinë, ky është një tregues i qartë i një boshatisjeje strukturore: emigrimi nuk është më i përkohshëm, por përfundimtar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



