Pa TVSH, pa ligj, pa shtet! Parkimi te Liqeni Artificial, zhvatje e çmendur

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Numëron miliona gjithë ditën, figuron si “biznesi i vogël”

Skema shokuese NË ZEMËR të Tiranës

Parkimi në Tiranë nuk është më luks, është tallje e hapur me qytetarët. Madje, madje, ajo që ndodh pranë Liqenit Artificial të Tiranës ka kaluar çdo kufi: një skemë brutale grabitjeje në mes të ditës, ku tarifa është fikse 5000 lekë të vjetra, pa asnjë lidhje me kohën që qëndron makina e parkuar.

5 minuta apo 3 orë? Njësoj. Pagesa bëhet, logjika zhduket.

Ky nuk është parkim. Është një taksë e paligjshme e vendosur në terren, pa ligj, pa transparencë, pa asnjë kontroll. Një model perfekt për të zhvatur çdo drejtues mjeti që guxon të afrohet në atë zonë.

Dhe kur kërkon faturë? Të shohin sikur po kërkon llogari për diçka që nuk duhet prekur. Sepse aty fshihet e vërteta e pisët: një aktivitet që mbledh para pa pushim gjatë gjithë ditës, por që figuron si “biznes i vogël”, duke shmangur TVSH-në dhe detyrimet reale. Pra, fitime të mëdha, përgjegjësi zero.

Ndërkohë, institucionet? Në gjumë të thellë… ose më keq, duke parë e mos vepruar. Bashkia Tiranë dhe Tatimet nuk shohin asgjë, nuk dëgjojnë asgjë, nuk reagojnë përballë një abuzimi që ndodh çdo ditë, në sytë e të gjithëve.

Por provoni të shisni disa qepë në rrugë. Apo disa vezë. Brenda pak minutash, do përballeni me gjoba, ndjekje dhe presion deri në frymën e fundit. Sepse sistemi funksionon vetëm për të dobëtit. Për ata që nuk kanë “mbrojtje”.

Kjo nuk është më çështje parkimi. Kjo është një provë e pastër se si funksionon selektiviteti: i forti fiton, qytetari paguan, shteti hesht.

Dhe ndërkohë, çdo ditë që kalon, kjo skemë vazhdon të mbushë xhepat e dikujt… ndërsa boshatis xhepat e të gjithëve të tjerëve.

Publikuar nga Publik Media