U kacafytën për 100 euro borxh

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Sherr për 100 euro në Tiranë, 50-vjeçari tenton vrasjen me armë zjarri në lokal

Një konflikt banal për një borxh prej 100 eurosh ka degjeneruar në tentativë vrasjeje në Tiranë, ku një 50-vjeçar është arrestuar nga policia pasi dyshohet se ka tentuar të qëllojë me armë zjarri një 38-vjeçar.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e 7 prillit në ambientet e jashtme të një lokali në rrugën “Myslym Keta”. Sipas të dhënave, dy personat janë përfshirë fillimisht në një debat verbal, pasi 50-vjeçari, i identifikuar si A. V. (Agim Visha), i ka kërkuar 38-vjeçarit I. D. kthimin e një borxhi prej 100 eurosh.

Situata është përshkallëzuar kur 38-vjeçari e ka goditur me shpullë, ndërsa më pas 50-vjeçari ka nxjerrë armën e zjarrit dhe e ka kërcënuar, duke tentuar ta qëllojë.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë ndërhyrë duke neutralizuar situatën dhe duke vënë në pranga autorin, i cili u kap teksa tentonte të largohej nga vendi i ngjarjes.

Policia bëri të ditur se arrestimi u krye në kuadër të operacionit të koduar “Respond”, ndërsa gjatë kontrollit iu sekuestrua arma e zjarrit, një pistoletë me mulli, së bashku me municionin luftarak.

50-vjeçari dyshohet për veprat penale “vrasje e mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Publikuar nga Publik Media