Detaje nga vrasja në Fushë-Krujë, zbardhet dëshmia e familjarëve

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur zonën e Niklës, ku një person është gjetur i pajetë në një ullishte në fshatin Verjon.

Viktima është identifikuar si Artur Cangu, i cili dyshohet se është qëlluar për vdekje me armë gjahu. Si autor i dyshuar është shpallur Eduard Afmataj, banor i të njëjtit fshat dhe fqinj me familjen e viktimës.

Sipas të dhënave paraprake, mes viktimës dhe autorit të dyshuar ekzistonte edhe një lidhje krushqie, pasi Afmataj është dhëndër te kushërinjtë e Cangut.

Dëshmitë e mbledhura nga banorët e zonës dhe familjarët sugjerojnë se nuk ka pasur konflikte të hapura mes palëve, çka e bën edhe më të paqartë motivin e krimit. Megjithatë, burime nga terreni flasin për një mosmarrëveshje të mundshme për pronën mes autorit të dyshuar dhe babait të viktimës, një pistë që ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Pas ngjarjes, i dyshuari është larguar nga vendi i krimit, ndërsa policia ka nisur kërkime intensive për lokalizimin dhe arrestimin e tij. Deri në këto momente nuk ka informacion mbi vendndodhjen e tij.

Mungesa e dëshmitarëve okularë në momentin e vrasjes po e vështirëson hetimin, ndërsa grupi hetimor vijon punën për të zbardhur plotësisht dinamikën dhe motivin e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Publikuar nga Publik Media