Arrestohet hajduti serial, grabiste banesa me çelësa të kopjuar

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Një operacion i zhvilluar nga Policia e Shtetit ka çuar në arrestimin e një 38-vjeçari në Tiranë, i dyshuar për një seri vjedhjesh në banesa, të kryera përmes një metode të pazakontë, përdorimit të çelësave të kopjuar.

Sipas hetimeve, i ndaluari ka realizuar të paktën katër vjedhje gjatë vitit 2026, duke përfituar nga mungesa e banorëve për të hyrë në apartamente pa shkaktuar dëmtime të dukshme. Dyshohet se ai siguronte kopje çelësash dhe më pas hynte në banesa për të marrë para dhe sende me vlerë, duke u larguar pa lënë gjurmë të forcimit të derës.

Aksioni për kapjen e tij erdhi pas një hetimi disa mujor të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Prokuroria e Tiranës. Operacioni, i koduar “Kopja”, bëri të mundur identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit, i cili tashmë përballet me akuza për vjedhje të përsëritura.

Autoritetet bëjnë me dije se hetimet janë ende në vijim, ndërsa po verifikohet nëse 38-vjeçari mund të jetë i përfshirë edhe në raste të tjera të ngjashme në kryeqytet.

“Si rezultat i një hetimi disamujor, të kryer nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, me objektiv identifikimin dhe ndalimin e autorit të disa vjedhjeve në banesa, nëpërmjet përdorimit të çelësave të kopjuar, u finalizua operacioni i koduar “Kopja”.

Gjatë operacionit u identifikua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi B. H., 38 vjeç, autor i dyshuar i 4 vjedhjeve në banesa, me këtë metodë, gjatë vitit 2026.

Vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer shtetasi B. H”, njofton policia.

Publikuar nga Publik Media