Prokuroria e Tiranës sekuestrohen pasuritë e të dënuarit për drogë
Dy apartamente dhe një garazh janë sekuestruar në Tiranë me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, në kuadër të një procedimi pasuror ndaj shtetasit A.A., i dënuar me 10 vite burg për trafikim të lëndëve narkotike.
Sipas hetimeve, të ardhurat e deklaruara nga shtetasi dhe familjarët e tij rezultojnë të pamjaftueshme për të justifikuar investimet në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme. Autoritetet kanë konstatuar një mospërputhje të theksuar mes të ardhurave të ligjshme dhe vlerës së pronave të zotëruara.
Nga akti i ekspertimit kontabël dhe dokumentacioni i administruar, rezulton se pasuritë në fjalë përmbushin kriteret ligjore për sekuestrim, bazuar në ligjin nr. 10192, datë 03.12.2009. Sipas këtij ligji, pasuritë mund të sekuestrohen kur evidentohet një disproporcion i pajustifikuar ndërmjet të ardhurave dhe aseteve.
Hetimet kanë provuar se shtetasi A.A. ka qenë i përfshirë në veprimtari kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, një vepër penale e parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal. Nga kjo veprimtari dyshohet se janë krijuar të ardhura të paligjshme, të cilat janë investuar në pasuri të paluajtshme.
Pasuritë e sekuestruara janë:
- Një apartament 1+1 me sipërfaqe 66.33 m² dhe verandë 44 m², i ndodhur në një kompleks multifunksional në rrugën “Xhanfize Keko”.
- Një apartament 2+1 me sipërfaqe 87.9 m², së bashku me një garazh 16 m² në katin -2, në një kompleks në ndërtim në rrugën “Kahreman Ylli”.
Prokuroria thekson se sekuestrimi është bërë për të parandaluar përdorimin dhe transferimin e mëtejshëm të pasurive që dyshohet se burojnë nga aktivitet kriminal, ndërsa hetimet vijojnë për konfiskimin përfundimtar të tyre.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



