Një mbrëmje e paharrueshme futbolli, e mbushur me emocione, gola dhe polemika, dhuroi përballja mes Bayern Munich dhe Real Madrid, ku në fund ishin gjermanët që siguruan një biletë për në gjysmëfinalet e Champions League pas një fitoreje spektakolare 4-3.
Ndeshja nisi me ritëm të çmendur, teksa një gafë e pabesueshme e Manuel Neuer në sekondat e para i dhuroi një mundësi të artë Arda Guler, i cili nuk gaboi dhe kaloi Realin në avantazh. Gjermanët reaguan shpejt dhe barazuan me Pavlovic pas një goditjeje këndi, duke rikthyer ekuilibrin në sfidë.
Megjithatë, Reali tregoi edhe një herë instinktin e tij në këtë kompeticion, teksa Guler realizoi një tjetër perlë, këtë herë nga goditja e dënimit, duke çuar shifrat në 2-1. Por Bayern nuk u dorëzua: Harry Kane riktheu baraspeshën pas një aksioni të bukur, ndërsa pak minuta më vonë Kylian Mbappe riktheu avantazhin për madrilenët me një depërtim model.
Fraksioni i dytë solli edhe më shumë tension dhe dramë. Aktivizimi i Camavinga-s ndikoi ndjeshëm në lojë, por fundi i takimit u shoqërua me polemika të forta. Mesfushori francez u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 86-të, një vendim që shkaktoi protesta të ashpra nga lojtarët e Realit.
Me një lojtar më shumë, Bayern përfitoi maksimalisht: fillimisht Luis Diaz barazoi në 3-3 me një goditje të bukur nga distanca, rezultat që i kualifikonte gjermanët falë suksesit në ndeshjen e parë. Por drama nuk kishte mbaruar.
Në sekondat e fundit, Olise shpërtheu me një gol spektakolar, duke vulosur përmbysjen dhe “pokerin” e Bayern, në një nga ndeshjet më elektrizuese të viteve të fundit në Champions League.
Në krahun tjetër, Real Madrid u largua mes tensioneve dhe protestave, me Arda Guler që u ndëshkua me karton të kuq pas vërshimit të emocioneve ndaj arbitrit. Në Spanjë, mediat nuk kursyen kritikat, duke vënë theksin te vendimi për kartonin e dytë të Camavinga-s, i cilësuar si i padrejtë.
Bayern tashmë sheh përpara, ku në gjysmëfinale do të përballet me PSG, kampionët në fuqi, në një tjetër duel që premton spektakël.







