SPAK ka kërkuar dënimin me 10 vite burg për Vis Berberi, i cili përballet me disa akuza të rënda që lidhen me korrupsionin dhe abuzimin me detyrën.
Organi i akuzës ka renditur një sërë veprash penale ndaj Berberit, përfshirë shpërdorimin e detyrës, korrupsionin pasiv, shkeljen e barazisë në tendera dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.
Megjithatë, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar pritet të reduktohet me një të tretën, siç parashikon ligji në raste të tilla.
Përveç dënimit me burg, prokuroria ka kërkuar edhe ndalimin e tij nga ushtrimi i funksioneve publike për një periudhë 5-vjeçare, duke synuar të shmangë rikthimin në poste që lidhen me administrimin e fondeve publike.
Në të njëjtën kohë, SPAK ka kërkuar konfiskimin e pasurive të gjetura në zotërim të tij. Bëhet fjalë për shuma monetare si 15 mijë euro, 35 mijë paund dhe rreth 1 milion lekë të rinj, si dhe pasuri të tjera që dyshohet se lidhen me aktivitetin e paligjshëm.
Çështja ndaj Berberit është pjesë e hetimeve më të gjera të autoriteteve shqiptare për korrupsionin në administratë dhe përdorimin abuziv të fondeve publike.







