Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar me një kallëzim penal Prokuroria e Tiranës, duke kërkuar nisjen e hetimeve për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.
Në padinë e depozituar, Veliaj kërkon verifikimin e dokumentit që ka shërbyer si bazë për nisjen e procedimit penal ndaj tij. Sipas kallëzimit, procedimi është iniciuar mbi një material të titulluar “Të dhëna për SPAK”, i nënshkruar nga një person që paraqitet me emrin “Nesti Angoni”.
Sipas pretendimeve të paraqitura, nga verifikimet e kryera rezulton se ky individ nuk figuron në regjistrin kombëtar të gjendjes civile, çka ngre dyshime të forta se bëhet fjalë për një identitet të rremë. Në këtë kontekst, në kallëzim theksohet se nuk kemi të bëjmë me një kallëzim anonim në kuptimin klasik ligjor, por me një dokument që paraqitet si i identifikuar, përmes përdorimit të një identiteti fiktiv dhe të shoqëruar me një nënshkrim fizik.
Veliaj kërkon që organet e drejtësisë të identifikojnë autorin real të këtij dokumenti, si dhe të hetojnë çdo përgjegjësi penale që mund të lidhet me përdorimin e një identiteti të rremë për inicimin e një çështjeje penale ndaj tij.
Në kallëzim evidentohet gjithashtu edhe ekzistenca e një materiali të dytë të ngjashëm, i lidhur me një tjetër identitet të pa verifikueshëm, “Nasta Pellumbi”. Sipas argumentimit të paraqitur, kjo situatë sugjeron mundësinë e një burimi të përbashkët, një autori të vetëm që përdor identitete të ndryshme, ose një mekanizmi të strukturuar për krijimin e kallëzimeve artificiale.
Pjesë nga kallëzimi
Në asnjë rast nuk mund të konsiderohet e pranueshme që një procedim penal të vihet në lëvizje mbi bazën e veprimeve që në vetvete paraqesin elementë të një vepre penale. Pranimi i një logjike të tillë do të çonte në legjitimimin e përdorimit të mjeteve të kundërligjshme për të inicuar ndjekje penale, duke deformuar rëndë funksionin e drejtësisë dhe duke cenuar parimet themelore të shtetit të së drejtës.
Një qasje e tillë do të krijonte rrezikun real që mekanizmi penal të përdoret në mënyrë selektive, mbi baza të fabrikuara, thjesht për të justifikuar nisjen e hetimeve ndaj individëve të caktuar. Për rrjedhojë, është thelbësore që çdo procedim penal të mbështetet mbi burime të ligjshme dhe të verifikueshme, dhe jo mbi veprime që, në vetvete, cenojnë ligjin penal. Ndryshe, do të legjitimohej një praktikë e papranueshme, ku vetë shkelja e ligjit penal do të përdorej si mjet për vënien në lëvizje të ndjekjes penale, duke përmbysur logjikën themelore të sistemit të drejtësisë.
Një qasje e tillë do të krijonte rrezikun real që subjektet e ngarkuara me zbatimin e ligjit, në vend që ta garantojnë atë, të përfshihen në shkeljen e tij në mënyrë selektive, me qëllim realizimin e objektivave të paracaktuara, duke cenuar rëndë parimet e shtetit të së drejtës dhe të sigurisë juridike.
Për sa më sipër, kërkoj:
i. regjistrimin e procedimit penal për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal si dhe cdo vepër tjetër relevante që del gjatë hetimit.
ii. ii. identifikimin e autorit real që ka hartuar dhe nënshkruar dokumentin “Të dhëna për SPAK”







