Dhunoi nxënësit dhe u hodhi ushqimin, procedohet drejtori i shkollës
Një ngjarje e rëndë ka shkaktuar reagime të forta në Elbasan, pasi drejtori i një shkolle private është proceduar penalisht, pas publikimit të një videoje shqetësuese në rrjetet sociale. Në pamje, ai shfaqet duke ushtruar dhunë ndaj nxënësve në ambientet e jashtme të institucionit dhe duke hedhur ushqimet e tyre në tokë.
Sipas informacioneve, bëhet fjalë për shtetasin turk Fatih Konuksever, ndaj të cilit policia ka nisur ndjekjen penale për veprën “fyerja e të miturve”. Rasti është bërë publik fillimisht në rrjete sociale, duke nxitur reagime të menjëhershme nga opinioni publik.
Ngjarja ka ngritur shqetësime serioze mbi sigurinë dhe trajtimin e fëmijëve në institucionet arsimore private. Edhe pse rrethanat e plota mbeten ende për t’u sqaruar, pamjet e publikuara kanë shkaktuar indinjatë të gjerë, duke u konsideruar si sjellje e papranueshme për një drejtues shkolle.
Ndërkohë, Bashkia e Elbasanit ka ndërhyrë duke vendosur një masë administrative ndaj tij për ndotje të mjedisit, pasi në video ai shihet duke hedhur ushqimet e nxënësve në ambient të hapur.
Autoritetet pritet të vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



