Zbardhet dinamika tronditëse e atentatit me 2 viktima në Lezhë
Një makinë u preu rrugën, dy persona qëlluan me breshëri kallashnikovi nga një makinë tjetër pa targa
Një ngjarje e rëndë ndodhi këtë të dielë në Balldren, ku një atentat i mirëorganizuar i mori jetën 39-vjeçarit Kreshnik Mujeci dhe bashkëshortes së tij, Gentjana Mujeci.
Sipas të dhënave, çifti është qëlluar me një intensitet të lartë zjarri, ku mbi 30 plumba janë shkrepur në drejtim të automjetit me të cilin udhëtonin. Mjeti është gjetur i dëmtuar rëndë, çka dëshmon për një sulm të drejtpërdrejtë dhe pa mundësi shpëtimi për viktimat.
Hetimet paraprake tregojnë se autorët kanë vepruar në mënyrë të koordinuar, duke përdorur dy automjete. Dyshohet se ata kanë ndjekur çdo lëvizje të viktimës gjatë ditës, deri në momentin fatal. Çifti kishte qenë më herët në një lokal dhe është vëzhguar që nga dalja prej andej.
Ngjarja ka ndodhur në momentin kur ata po lëviznin në drejtim të Torovicës. Në fshatin Balldren, një automjet u ka prerë rrugën, duke e detyruar drejtuesin të ndalonte. Menjëherë më pas, nga një mjet tjetër, i dyshuar pa targa, kanë zbritur dy persona të armatosur me armë automatike, të cilët kanë hapur zjarr.
Autorët janë larguar menjëherë nga vendngjarja, ndërsa policia ka nisur një operacion të gjerë për identifikimin dhe kapjen e tyre. Janë sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë dhe po analizohen pamjet për të ndërtuar profilin e autorëve.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se pista kryesore ku po përqendrohen hetimet lidhet me hakmarrjen.
Viktima, Kreshnik Mujeci, rezulton të ketë qenë i akuzuar më herët për përfshirje në vrasjen e Genc Mhillaj në vitin 2016, një element që mund të ketë ndikuar në motivin e sulmit.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka reaguar zyrtarisht, duke theksuar se hetimet janë në vijim me intensitet të lartë, me synim zbardhjen e plotë të ngjarjes, dokumentimin ligjor dhe vënien para drejtësisë të autorëve.
Tragjedia bëhet edhe më e rëndë nga fakti se çifti Mujeci lë pas katër fëmijë të mitur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



