Aksion kundër prostitucionit në Tiranë, 7 persona në pranga
Goditja e rrjeteve të prostitucionit në kryeqytet ka vijuar me faza të reja të operacionit të koduar “Network”, të ndërmarra nga strukturat e specializuara të Policisë në Tiranë.
Sipas burimeve zyrtare, gjatë kontrolleve dhe punës hetimore janë zbuluar edhe 3 apartamente të tjera që përdoreshin për ushtrim prostitucioni në zona të ndryshme të qytetit. Si rezultat i operacionit, janë arrestuar 7 persona, ndërsa 5 të tjerë janë vënë nën hetim në gjendje të lirë.
Në pranga kanë rënë dy bashkëjetues, të dyshuar për shfrytëzim për prostitucion, si dhe 5 shtetase të huaja nga Kina dhe Ukraina, të cilat akuzohen për ushtrim të kësaj veprimtarie të paligjshme.
Hetimet tregojnë se një nga rastet është evidentuar në rrugën “Njazi Demi”, ku një apartament i marrë me qira ditore dyshohet se përdorej për shfrytëzimin e një shtetaseje ukrainase. Ndërkohë, raste të tjera janë zbuluar në zonën e “Vasil Shantos” dhe në rrugën “Vangjush Furxhi”, ku disa shtetase kineze ushtronin prostitucion.
Në vijim të operacionit, autoritetet kanë nisur procedim penal në gjendje të lirë për 5 persona të tjerë, mes tyre pronarët e apartamenteve të dhëna me qira dhe individë që dyshohet se përfitonin nga kjo veprimtari e kundërligjshme.
Materialet procedurale i janë referuar Prokuroria e Tiranës, e cila pritet të vijojë hetimet për zbardhjen e plotë të rrjetit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Operacioni “Network” është pjesë e një serie aksionesh të ndërmarra nga Policia e Shtetit për të goditur fenomenin e shfrytëzimit për prostitucion dhe aktivitetet e paligjshme që lidhen me të në kryeqytet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



