E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pasi i prishi vilat në Sauk, Rama i firmos lejen e kullës Lad Kostës
Lajme

Pasi i prishi vilat në Sauk, Rama i firmos lejen e kullës Lad Kostës

Marrëdhëniet në një vend të vogël si Shqipëria shpesh ndërthuren mes politikës, biznesit dhe lidhjeve personale. Një shembull i tillë është raporti mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-deputetit Vladimir Kosta, i njohur edhe si pronar i Sky Tower.

Dikur pjesë e të njëjtës forcë politike, sot marrëdhënia e tyre duket se është zhvendosur në një raport mes vendimmarrjes shtetërore dhe interesave në biznes. Vladimir Kosta zotëron kompaninë e ndërtimit “Lani”, e cila ka qenë në qendër të disa zhvillimeve të fundit.

Pak muaj më parë, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ndërhyri në zonën e Saukut, duke prishur disa vila në pronësi të Kostës, të cilat u konsideruan pa leje. Ish-deputeti kundërshtoi këtë veprim, duke deklaruar se kishte dokumentacion të rregullt dhe se ndërtimet përputheshin me lejet përkatëse, por tashmë çështja mbetet për t’u zgjidhur në rrugë gjyqësore.

Megjithatë, paralelisht me këtë përplasje, një tjetër zhvillim ka rikthyer emrat e Edi Rama dhe Vladimir Kosta në të njëjtin dokument zyrtar. Në cilësinë e kryetarit të Këshilli Kombëtar i Territorit, Rama ka firmosur një leje ndërtimi për një kullë 19-katëshe në hyrje të lagjes “Ali Demi”, pranë shkollës 9-vjeçare “1 Maji”.

Edi Rama i firmos lejen e kullës 19 kate ish-deputetit Lad Kosta, disa muaj

Edi Rama i firmos lejen e kullës 19 kate ish-deputetit Lad Kosta, disa muaj

Faksimile: Leja e ndërtimit e kullës 19 kate në hyrje të lagjes “Ali Demi”, ngjitur me shkollën “1 Maji”

Sipas dokumentit, leja jepet për ndërtimin e një objekti me funksion administrativ, të quajtur “Union Bank – HQ Albania”, me vendndodhje në Bulevardin “Bajram Curri”. Në këtë projekt janë të përfshira disa subjekte zhvilluese, përfshirë “Union Bank”, “Auto City”, “Arch Investor” dhe kompania “Lani” shpk.

Edi Rama i firmos lejen e kullës 19 kate ish-deputetit Lad Kosta, disa muaj

Faksimile: Kompania “Lani” është themeluar në vitin 1995 dhe ka si pronar Vladimir Kostën me 70 % të aksioneve dhe Mirton Likën me 30 %

Të dhënat tregojnë se kompania “Lani” është themeluar në vitin 1995 dhe zotërohet në masën 70% nga Vladimir Kosta dhe 30% nga kunati i tij, Mirton Lika. Në këtë projekt, kompania është e angazhuar si ndërtuese, ndërsa një pjesë e truallit rezulton të ketë qenë në pronësi të vetë Kostës, i cili ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me Edmond Lekën.

Projekti në fjalë ka përmasa të konsiderueshme, me një sipërfaqe prej rreth 3.26 hektarësh. Ai parashikon që 10 katet e para të përdoren për zyra, ndërsa katet e sipërme do të shërbejnë për ambiente më informale, përfshirë hapësira rekreative dhe një bar me tarracë të hapur për aktivitete të ndryshme.

Edi Rama i firmos lejen e kullës 19 kate ish-deputetit Lad Kosta, disa muaj

Edi Rama i firmos lejen e kullës 19 kate ish-deputetit Lad Kosta, disa muaj

Në foto: Projekti i kullës 19 kate në afërsi të shkollës “1 Maji”, që do të ndryshojë edhe rrugën “Ali Demi”

Por ajo që ka ngritur më shumë debat lidhet me ndikimin urban të kësaj ndërtese. Sipas dokumenteve dhe projekteve të publikuara, kulla prek drejtpërdrejt hyrjen e lagjes “Ali Demi”, si dhe një pjesë të territorit të shkollës “1 Maji”. Gjithashtu, projekti prek edhe elementë simbolikë të zonës, përfshirë statujën e Heroit të Popullit, Ali Demi, si dhe strukturat identifikuese në hyrje të lagjes.

Në thelb, projekti pritet të ndryshojë ndjeshëm konfigurimin e zonës: rrugën hyrëse, hapësirat publike dhe mjediset rreth shkollës. Këto zhvillime kanë ngritur pikëpyetje mbi balancën mes zhvillimit urban dhe ruajtjes së hapësirave komunitare, duke rikthyer në vëmendje raportin kompleks mes vendimmarrjes politike dhe interesave private.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.