Sekuestrohet “EURO-BETON 2005”, dyshime për pastrim parash
QKB urdhërohet të bllokojë asetet
Kompania “EURO-BETON 2005”, një ndër subjektet më të njohura në tregun e prodhimit të betonit dhe në sektorin e ndërtimit në Tiranë, është vendosur nën sekuestro preventive me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
Vendimi është dhënë më 23 prill 2026 dhe i është përcjellë për zbatim Qendrës Kombëtare të Biznesit. Në bazë të këtij vendimi, ndaj shoqërisë “EURO-BETON 2005” sh.p.k., me NIPT K51410004T, është vendosur masa e sekuestros në kuadër të një hetimi penal që lidhet me disa vepra të rënda financiare.

Sipas të dhënave nga dosja hetimore, kompania, në pronësi të Arjan Ormenajt, Bujar Gazhelit dhe Pietro Telescës, është vënë nën hetim për dyshime mbi mashtrim, fshehje të të ardhurave dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Hetimi është zhvilluar për disa muaj nga Prokuroria e Tiranës, pas informacioneve të siguruara nga strukturat ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit. Nga verifikimet paraprake dyshohet se përmes aktivitetit të kompanisë është ngritur një skemë e mirëorganizuar financiare, e cila ka mundësuar qarkullimin dhe pastrimin e dhjetëra milionë eurove.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se aktiviteti i dyshuar përfshin një periudhë disavjeçare dhe lidhet me evazion fiskal dhe operacione të kamufluara financiare, që dyshohet të jenë kryer nga një grup i strukturuar.
Roli i ortakëve shqiptarë shihet si kyç. Bujar Gazheli rezulton i përfshirë më herët në përfitimin e fondeve publike në sektorin e shëndetësisë, përmes kompanisë Albanian Medical Distributor (AMD), e lidhur me struktura të dyshimta biznesi me origjinë italiane.
Ndërkohë, Arjan Ormenaj përmendet në hetim si një figurë qendrore në rrjetin e dyshuar të pastrimit të parave, me lidhje të supozuara me një grup kriminal të goditur më herët nga organet e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Nga të dhënat e mbledhura rezulton gjithashtu se disa kompani të lidhura me këtë rrjet, përfshirë “Elba Beton” dhe “Elba Import”, të themeluara fillimisht nga persona me precedent kriminal, kanë kaluar më pas në pronësi të Arjan Ormenajt, duke ngritur dyshime të forta mbi transferime të qëllimshme të aseteve.
Çështja mbetet në hetim dhe priten zhvillime të mëtejshme nga organet e drejtësisë lidhur me përgjegjësitë penale të personave të përfshirë dhe burimin e kapitalit të përdorur në këto aktivitete.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



