Rama “gostit” me resort 4 katësh çiftin Gjeçaj në Theth
Pas ndërhyrjeve të ashpra me prishje masive ndërtimesh, zona turistike e Theth duket se po hyn në një fazë të re zhvillimi, ku lejet e para të ndërtimit kanë nisur të miratohen. Në qendër të vëmendjes janë një çift sipërmarrësish lokalë, të cilët rezultojnë ndër përfituesit e parë të kësaj “hapjeje” të re institucionale.
Disa muaj më parë, strukturat e Inspektoriatit Kombëtar të Territorit ndërmorën një aksion të gjerë në zonë, duke shembur dhjetëra ndërtime që konsideroheshin pa leje. Operacioni u shoqërua me pasoja në nivel institucional, përfshirë procedime penale ndaj disa inspektorëve dhe largimin nga detyra të drejtuesve të Policisë në qarkun e Shkodër.
Megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë një qasje tjetër. Dokumentat tregojnë se është miratuar një leje ndërtimi për një strukturë turistike në Theth, me zhvillues Aida Gjeçaj dhe Petrit Gjeçaj. Projekti parashikon ndërtimin e një godine hoteliere me disa kate dhe hapësira shërbimi, duke reflektuar një investim të mirëfilltë në turizëm.
Leja është dhënë nga KKTU, në përputhje me legjislacionin për planifikimin e territorit dhe dokumentet përkatëse vendore. Në përshkrimin teknik theksohet se zona ndodhet në një pozicion të favorshëm, pranë rrugëve kryesore dhe afër qendrës së fshatit, çka e bën tërheqëse për zhvillim turistik.
Në dokumentacion evidentohet gjithashtu se zona përreth përmban ndërtime ekzistuese me lartësi të ndryshme, duke krijuar një kontekst të përzier urbanistik. Prona në fjalë, me një sipërfaqe rreth 700 m², rezulton në pronësi të znj. Gjeçaj.
Një element i rëndësishëm në këtë zhvillim është edhe ndryshimi i narrativës institucionale. Në të njëjtat dokumente, autoritetet theksojnë se zona të tilla kanë vlera të veçanta kombëtare dhe mund të zhvillohen në funksion të interesit publik dhe ekonomik, një qasje që bie në kontrast me deklaratat e mëparshme për ruajtjen strikte të karakterit të Thethit.


Projekti arkitektonik parashikon ndërtimin e dy godinave të lidhura funksionalisht mes tyre. Njëra prej tyre ruan pjesërisht strukturën ekzistuese, duke u zgjeruar në lartësi dhe volum, ndërsa tjetra ndërtohet si një njësi e re me konstruksion druri. Të dyja lidhen përmes një bërthame vertikale me shkallë dhe ashensor, duke krijuar një kompleks të integruar.
Një detaj interesant i projektit është edhe përfshirja e një kulle vrojtimi, e menduar si element atraktiv për vizitorët, e aksesueshme përmes shkallëve të jashtme nga katet më të larta.


Ky zhvillim vjen pas një periudhe të trazuar për zonën dhe ngre pikëpyetje mbi standardet dhe kriteret e aplikimit të ligjit në kohë të ndryshme. Për më tepër, përzgjedhja e përfituesve të parë të lejeve mbetet një çështje që pritet të diskutohet gjerësisht në opinionin publik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



