E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Përplasje në Bashkinë Durrës, banorët kërkojnë takim me Emirjana Sakon
Lajme

Përplasje në Bashkinë Durrës, banorët kërkojnë takim me Emirjana Sakon

Përfaqësues të familjeve që preken nga projekti TID janë rikthyer këtë të martë para Bashkisë së Durrës, ku kanë kërkuar një takim me kryebashkiaken Emirjana Sako, por sipas tyre, dyert e institucionit kanë mbetur të mbyllura.

Reagimi i banorëve vjen pas ndryshimeve në projektin për restaurimin e objekteve të kultit, veçanërisht të kishës katolike, e cila më herët ishte parashikuar të shembej. Ky zhvillim, sipas tyre, ka shtuar paqartësitë dhe ka rritur nevojën për më shumë informacion dhe transparencë mbi mënyrën si po vijon projekti.

Me një kërkesë të firmosur nga 20 familje, banorët i janë drejtuar autoriteteve vendore për sqarime mbi procedurat dhe zbatimin e projektit, ndërsa kanë bërë të qartë se do të vijojnë kundërshtimin ndaj prishjes së banesave të tyre.

Ata pretendojnë se projekti po mbivendoset mbi historinë e qytetit, duke rrezikuar të zëvendësohet me ndërtime të larta dhe duke ndryshuar identitetin urban të zonës.

Përfaqësuesit e tyre kërkuan sërish një takim me kryebashkiaken Sako, por theksojnë se edhe këtë herë nuk morën asnjë përgjigje nga bashkia.

“Është më e lehtë të takosh përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare sesa kryebashkiaken Sako”, u shprehën ata me tone kritike, duke nënvizuar se do të kundërshtojnë çdo tentativë për prishjen e banesave.

Ndërkohë, në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, nënkryetari i Bashkisë së Durrësit, Gentian Kallmi, deklaroi se projekti TID mbetet në proces dhe se çdo rast do të shqyrtohet në mënyrë individuale, si për vlerësimin e pronës, ashtu edhe për procedurat e ndjekura.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.