Rama bën apologjinë nga frika e protestave:
S’më duhet karrigia pa vizion, mendova edhe të largohem në katund
TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë zyrtarisht lidhur me tensionet e shënuara dy ditë më parë në Zvërnec, ku u regjistrua një përplasje mes qytetarëve protestues dhe forcave private të sigurisë. Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Rama u shfaq mjaft emocional, duke mbrojtur projektin prej 4 miliardë eurosh dhe duke sulmuar ashpër kritikët, ndërsa pranoi se reagimet e fundit e kishin bërë të mendonte deri edhe largimin nga politika.
“Ç’më duhet pushteti nëse heq dorë nga vizioni?”
Kreu i qeverisë deklaroi se është gati të durojë çdo sulm, pasi qëllimi i tij mbetet futja e Shqipërisë në “ligën e kampionëve” të turizmit global. Ai paralajmëroi se pa këtë investim strategjik, zona rrezikon të kthehet në një dështim urbanistik.
“Ç’më duhet karrigia, pushteti nëse duhet të heq dorë nga vizioni që kam ndarë me ju gjithë këto vite? […] Që të qetësoheni ju dhe pasnesër, në vend të atij investimi të jashtëzakonshëm atje, të bëhet copëtimi, Golemi i radhës?” u shpreh Rama, duke shtuar se Shqipëria e 12 milionë turistëve tashmë ka hyrë në elitën e investimeve të huaja.
Dilema e largimit: “Mendova t’ju kërkoj ndjesë e të iki në katund”
Në një moment reflektimi të pazakontë, Rama pranoi se vala e kritikave, madje edhe nga vetë mbështetësit e majtë në rrjetet sociale, e ka prekur thellë.
Reflektimi: Kryeministri pranoi se për herë të parë mendoi të tërhiqej: “Më kanë bërë të mendoj që edhe t’ju përulem thellë për nderin e madh që më keni bërë dhe t’ju kërkoj ndjesë për të ikur në katund”.
Vendimi: Megjithatë, ai theksoi se ka zgjedhur të mos dorëzohet: “Kam zgjedhur të bëj atë që kam bërë gjithonë, t’ju udhëheq drejt asaj Shqipërie”.
Sulmi ndaj mediave greke dhe “shpifësve”
Rama nuk i kursye akuzat ndaj atyre që i quajti “helmues publikë”, duke përdorur edhe tone fetare, ndërsa ngriti supe për faktin se mediat e vendit fqinj, Greqisë, kanë pasqyruar gjerësisht protestën e Zvërnecit.
“Si mund të jenë gazetat e Greqisë aleatët tuaj në mbrojtjen e mjedisit të Shqipërisë? Gazetat greke që janë mbushur sot të gjitha me kauzën tuaj. Ka diçka këtu që nuk shkon? Apo u gjet tradhtari, u gjet shitësi i atdheut…?” – pyeti me ironi kryeministri.
Mbledhja e grupit socialist vjen në një moment delikat, kur debati për pronat, mjedisin dhe investimet e mëdha në vijën bregdetare ka rindezur aksionin qytetar dhe opozitar në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



