Djegia e pallatit të Armand Lilos, premtimet e qeverisë i merr era
Dy muaj pas zjarrit te “Farmacia 10”, banorët ende pa ndihmë: As bonus qiraje, as rindërtim
Kanë kaluar afro dy muaj nga zjarri i fuqishëm që përfshiu pallatin e ndërtuar nga Armand Lilo në zonën e njohur si “Farmacia 10”, një ngjarje që la dhjetëra familje në qiell të hapur dhe shkatërroi kursimet e një jete të tërë.
Flakët jo vetëm që dogjën apartamentet, por shuan edhe sigurinë dhe stabilitetin e këtyre familjeve, të cilat brenda pak orësh humbën gjithçka kishin ndërtuar ndër vite. Në atë moment dramatik, shumë prej tyre mbetën pa një alternativë të menjëhershme strehimi dhe pa një plan të qartë për të ardhmen.
Pas ngjarjes, Kryeministri Edi Rama deklaroi publikisht se pallati do të rindërtohej nga kompania përgjegjëse, ndërsa familjet e prekura do të mbështeteshin me bonus qiraje deri në rikthimin në banesat e tyre. Premtimet u paraqitën si një zgjidhje emergjente për të përballuar situatën.

Megjithatë, sipas banorëve, realiteti dy muaj më pas mbetet larg deklaratave zyrtare. Ata shprehen se nuk kanë marrë asnjë mbështetje konkrete financiare dhe se bonuset e qirasë nuk janë disbursuar. Ndërkohë, në vendngjarje nuk ka nisur asnjë proces i dukshëm rindërtimi.
Banorët thonë se janë detyruar të përballojnë vetë kostot e jetesës, ndërsa jetojnë në pasiguri të plotë për fatin e shtëpive të tyre. Disa prej tyre janë strehuar tek të afërmit, ndërsa të tjerë kanë marrë ambiente me qira, pa asnjë ndihmë institucionale.
Mesazhi i një qytetari:
“Përshëndetje, sot u bënë 7 javë që nga djegia e pallatit. U dhanë shumë premtime, por nuk është bërë asgjë. Nuk është vendosur as një gozhdë dhe nuk kemi marrë asnjë bonus qiraje. Vetëm fjalë. Ju lutem, na ndihmoni që zëri ynë të dëgjohet.”
Ndërsa koha kalon, banorët kërkojnë transparencë dhe veprime konkrete nga institucionet përgjegjëse, duke theksuar se situata e tyre po rëndohet çdo ditë e më shumë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



