Zhdukja e Eglant Koçit, Gjykata lë në burg kamarierin 25-vjeçar
Enea Zyferi mohon përfshirjen në ngjarje
Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Enea Zyferin, i arrestuar në kuadër të hetimeve që lidhen me zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi, i cili rezulton i humbur që prej datës 5 qershor.
Zyferi dyshohet për veprën penale të përkrahjes së autorit të krimit. Ai punonte si kamarier në një lokal në pronësi të Armand Shakaj, i cili është shpallur në kërkim nga autoritetet në kuadër të të njëjtit hetim.
Gjatë seancës së zhvilluar këtë të mërkurë në Gjykatën e Tiranës, Enea Zyferi ka kundërshtuar akuzat dhe ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen që po hetohet. Ai ka mohuar çdo përfshirje në zhdukjen e 34-vjeçarit.
Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se provat e administruara deri në këtë fazë, përfshirë ato shkencore dhe rrethanore, kanë forcuar dyshimet se Eglant Koçi mund të ketë humbur jetën dhe se bëhet fjalë për një ngjarje kriminale.
Autoritetet po vijojnë kërkimet dhe veprimet procedurale për të dokumentuar plotësisht ngjarjen, si dhe për të identifikuar e lokalizuar të gjithë personat që mund të kenë lidhje me këtë çështje.
Hetimet mbeten të hapura, ndërsa priten zhvillime të tjera nga organet ligjzbatuese në ditët në vijim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



