E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Laborator falsifikimesh në Rrushkull, arrestohen 3 persona
Lajme

Laborator falsifikimesh në Rrushkull, arrestohen 3 persona

Diploma dhe dokumente kundrejt mijëra eurove

Një operacion i zhvilluar nga strukturat e hetimit ekonomik në Tiranë ka çuar në zbulimin e një laboratori të mirëorganizuar për falsifikim dokumentesh, që funksiononte në një banesë në Rrushkull të Durrësit.

Në pranga kanë rënë tre persona, mes tyre babë e bir, përkatësisht 53 dhe 24 vjeç, si dhe një 37-vjeçar që dyshohet se bashkëpunonte në këtë aktivitet të paligjshëm. Sipas hetimeve, ambienti ku jetonin dy të afërmit ishte përshtatur posaçërisht për prodhimin e dokumenteve false, të cilat ofroheshin kundrejt pagesave që varionin nga 3000 deri në 5000 euro.

Operacioni i koduar “Gjeneralitetet” u finalizua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, pas një pune të gjatë hetimore dhe grumbullimit të provave.

Gjatë kontrollit në banesë, policia ka sekuestruar 46 dokumente të dyshuara të falsifikuara, që përfshijnë diploma, certifikata, vërtetime gjyqësore dhe dokumente për aplikime në institucione të ndryshme. Po ashtu, u gjetën dhe u sekuestruan 2 vula të dyshuara false, 6 telefona celularë dhe 3 kompjuterë, të cilët dyshohet se përdoreshin për realizimin e kësaj veprimtarie kriminale.

Sipas të dhënave zyrtare, të arrestuarit kishin ngritur një skemë të strukturuar për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve të falsifikuara, duke synuar përfitime të konsiderueshme financiare.

Hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet, si dhe për të zbuluar përmasat e plota të aktivitetit të paligjshëm. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.