Rama shpërthen ndaj Goxhajt dhe e quan dezertor të UÇK-së
Kryeministri shthur gojën: Mos bre mos ja kajni nanën krejt, çfarë komandant i leshit more
Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe këtë të martë me deklaratat e forta ndaj Dritan Goxhajt, duke e etiketuar atë si dezertor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ai publikoi një dokument që, sipas tij, hedh dritë mbi rolin e Goxhajt gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Në materialin e shpërndarë, përshkruhet një episod i vitit 1999 në një qendër stërvitore të UÇK-së në Helshan, ku përmendet edhe emri i Goxhajt. Sipas përmbajtjes së dokumentit, ai kishte shoqëruar disa oficerë shqiptarë drejt kësaj qendre, por më pas ishte larguar drejt Tiranës, duke refuzuar përfshirjen në luftime.
Rama e shoqëroi publikimin me një mesazh të ashpër, ku sulmon mbrojtësit e Goxhajt dhe paralajmëron për, siç shprehet ai, manipulime dhe dezinformim në hapësirën publike. Ai nënvizoi se nuk do të lejojë që figura apo narrativa të caktuara të cenojnë simbolikën e luftës së UÇK-së.
“Jo për një manipulator gjysmë taleban e gjysmë mitoman, por për askënd në botë nuk do të hedh baltë mbi flamurin e UÇK-së”, shkruan Rama, duke shtuar se e vërteta do të dalë në dritë pasi, sipas tij, të shuhet “mjegulla e histerisë digjitale”.
Këto deklarata vijnë në një klimë të tensionuar politike në vend, ku prej më shumë se tre javësh vijojnë protestat kundër qeverisë. Mijëra qytetarë janë mbledhur në shesh duke artikuluar akuza të forta ndaj kryeministrit dhe duke kërkuar largimin e tij nga pushteti.
Vetëm një ditë më parë u zhvillua protesta e 23-të radhazi, ku pjesëmarrësit kërkuan ndryshime të thella politike dhe fundin e qeverisjes aktuale. Në këtë kontekst, reagimet e Ramës ndaj Goxhajt shihen si pjesë e një përplasjeje më të gjerë politike dhe publike që po intensifikohet çdo ditë.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



