Si po u nxihet jeta çdo ditë banorëve të Liqenit të Thatë
Nga zonë e gjelbër, në kantier betoni
Mjetet e tonazhit të rëndë paralizojnë zonën
Nga një zonë që dikur ofronte qetësi, ajër të pastër dhe hapësira të gjelbra, Liqeni i Thatë po transformohet me ritme të shpejta në një kantier të përhershëm ndërtimi. Banorët e zonës ngrenë shqetësimin se përditshmëria e tyre është rënduar ndjeshëm nga fluksi i mjeteve të tonazhit të rëndë, pluhuri i vazhdueshëm, zhurma dhe bllokimet e shpeshta të rrugëve.

Sipas tyre, kamionët dhe makineritë e ndërtimit lëvizin gjatë gjithë ditës, nga orët e para të mëngjesit deri në pasdite, duke krijuar vështirësi serioze në qarkullim. “Nuk arrijmë të shkojmë në kohë në punë apo të çojmë fëmijët në shkollë. Rrugët bllokohen vazhdimisht,” shprehet një banor i zonës.

Me intensifikimin e ndërtimeve muajt e fundit, shqetësimet janë shtuar edhe më shumë. Përveç trafikut, banorët denoncojnë ndotjen e ajrit si një nga problemet kryesore. “E zgjodhëm këtë zonë për ajrin e pastër, por sot nuk mund të hapim as dritaret. Pluhuri është kudo dhe fëmijët nuk dalin dot jashtë si më parë,” tregon një banore.

Një tjetër çështje e ngritur lidhet me humbjen e hapësirave të gjelbra dhe dëmtimin e peizazhit natyror. Sipas banorëve, kodrat me ullishte po zhduken për t’i hapur rrugë ndërtimeve të reja. “Janë prerë ullinjtë dhe zona është kthyer në dhe e beton. Makineritë punojnë pa ndërprerje dhe zhurma është e vazhdueshme,” shprehet një tjetër qytetar.

Për shumë prej tyre, Liqeni i Thatë po humbet identitetin që e bëri një nga zonat më të preferuara për banim në kryeqytet. Dikur i promovuar si një alternativë e qetë larg ndotjes urbane, sot banorët thonë se realiteti është krejt i kundërt. “Nuk gjejmë më qetësi. Çdo ditë është pluhur, trafik dhe zhurmë. Na është bërë e papërballueshme,” thotë një tjetër banore.

Ndërkohë, mbeten pa përgjigje edhe pyetjet mbi menaxhimin e kësaj situate nga institucionet përgjegjëse. Është kërkuar informacion zyrtar lidhur me masat për kontrollin e qarkullimit të mjeteve të rënda dhe përcaktimin e orareve të tyre në zonat urbane.

Situata bëhet edhe më shqetësuese në dritën e projekteve konkrete që po zbatohen. Një prej tyre parashikon ndërtimin e 15 pallateve deri në 9 kate, në një sipërfaqe prej rreth 31 mijë metrash katrorë, me një total ndërtimi që arrin në 94 mijë metra katrorë mbi dhe nën tokë.

Për banorët, kjo do të thotë jo vetëm humbje e mëtejshme e gjelbërimit, por edhe rritje e presionit mbi infrastrukturën dhe cilësinë e jetesës. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për të vendosur rregulla të qarta dhe për të rikthyer normalitetin në një zonë që, sipas tyre, po paguan çdo ditë koston e një zhvillimi të pakontrolluar urban.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



