E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Lamallari nuk tërhiqet, paralajmëron valë të re ‘Non Grata’ në vend
Lajme

Lamallari nuk tërhiqet, paralajmëron valë të re ‘Non Grata’ në vend

Kush rrezikon të futet në listën e zezë?

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka paralajmëruar se lista e personave që mund të shpallen “Non Grata” nga qeveria shqiptare mund të zgjerohet, në rastet kur individë të caktuar konsiderohen kërcënim për sigurinë kombëtare.

Gjatë një interviste për Euronews Albania, Lamallari theksoi se institucionet ligjzbatuese paraqesin në mënyrë të vazhdueshme kërkesa për masa ndaj personave me precedentë penalë apo të dyshuar për aktivitete kriminale.

“Atëherë, unë e thashë pak më herët, më lejoni ta ripërsëris. Çdo javë, unë kam në tryezën time me dhjetëra kërkesa që vijnë nga agjencitë e zbatimit të ligjit. Kjo është një punë dinamike që vijon ditë pas dite. Dhe nëse qëllon që këta persona të jenë qoftë të përfshirë në krim të organizuar, në krime të rënda, në mashtrime, në shantazhe që u bëhen qytetarëve shqiptarë.

Ndonëse qëllon që këta persona marrin pjesë, krahas aktivitetit të tyre të përditshëm, sigurisht thashë të rrezikshëm, marrin pjesë edhe në protestë, kjo nuk do të thotë që ne do të stepemi.

Detyra jonë është të bëjmë zbatimin pikë për pikë të ligjit, sepse në fund të ditës, pa dallim të nuancave apo të situatave të ndryshme politike, Policia e Shtetit duhet të jetë në krye të detyrës dhe të mbrojë qytetarët shqiptarë.

Dhe, pa u stepur as nga presioni publik që mund të krijohet edhe nga gjykimet e ndryshme që mund të vijnë. Por, patjetër kjo është detyra ime, kjo është detyra e qeverisë shqiptare, për këtë jemi besuar dhe mbi të gjitha prevalon interesi publik..”, tha Lamallari.

Në të njëjtën kohë, Policia e Shtetit bëri të ditur se ka proceduar penalisht 15 shtetas, të dyshuar për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme, prishje të rendit dhe qetësisë publike, si dhe pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit.

Sipas njoftimit zyrtar, nga veprimet hetimore rezulton se tubimi i njoftuar për t’u zhvilluar nga ora 19:00 deri në orën 22:00 në Sheshin “Skënderbej” dhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ka vijuar më tej në disa akse rrugore të kryeqytetit.

Konkretisht, protestuesit janë zhvendosur në Rrugën e Elbasanit, zonën e 9-Katësheve, ish-Bllok dhe në segmente të Unazës, duke bllokuar qarkullimin e automjeteve përtej orarit dhe perimetrit të lejuar zyrtarisht.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.