E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Arratiset i dyshuari i masakrës së Velipojës, 4 policë në pranga
Lajme

Arratiset i dyshuari i masakrës së Velipojës, 4 policë në pranga

Katër punonjës policie kanë rënë në prangat e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), pasi dyshohen për shpërdorim detyre në lidhje me arratisjen e një personi që ndodhej në masë sigurie “arrest në shtëpi”.

Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për shtetasin Hasan Ferracaku, i cili nuk është konstatuar në banesën ku duhej të mbahej nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga efektivët. Pas marrjes së informacionit për largimin e tij, AMP ka nisur menjëherë veprimet hetimore, duke çuar në arrestimin në flagrancë të katër punonjësve të policisë që kishin detyrë ruajtjen e tij.

Në pranga kanë përfunduar inspektorët Dorjan Hasandoçaj, Gentian Xhanari dhe Dioniz Hotaj, si edhe punonjësi Ridvan Zefi, të gjithë pjesë e strukturave operacionale të sigurisë në Shkodër. Ata akuzohen për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, pasi dyshohet se nuk kanë zbatuar detyrimet ligjore për mbikëqyrjen e personit në arrest shtëpie.

Nga ana tjetër, ndaj Ferracakut rëndon dyshimi për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi ka shkelur kushtet e vendosura nga gjykata.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se materialet janë referuar tashmë në Prokurorinë e Shkodrës, e cila pritet të vijojë procedurat për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive.

Ferracaku është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi është nën hetim si një nga personat e përfshirë në ngjarjen e rëndë të ndodhur në Velipojë në qershor të vitit 2021, ku humbën jetën katër persona. Ai ndodhej në arrest shtëpie pasi i kishin përfunduar afatet e paraburgimit, ndërsa mbahej nën mbikëqyrje të vazhdueshme policore prej disa vitesh.

Ngjarja e Velipojës, e cila tronditi opinionin publik, kishte në qendër një konflikt mes dy familjeve për shfrytëzimin e hapësirave në plazh, që përfundoi në përdorimin e armëve dhe viktima të shumta. Hetimet për atë episod vijojnë ende, ndërsa arratisja e fundit ka ngritur pikëpyetje të forta mbi mënyrën e zbatimit të masave të sigurisë dhe përgjegjësinë e strukturave ligjzbatuese.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.