Aksident i 6-fishtë në Morinë me 7 persona të plagosur
Një aksident i rëndë automobilistik është regjistruar këtë të shtunë në segmentin e fundit të autostradës “Ibrahim Rugova”, pranë pikës kufitare të Morinës, duke shkaktuar panik dhe bllokim të qarkullimit në zonë.
Sipas informacioneve paraprake, në përplasje janë përfshirë gjashtë automjete, ndërsa si pasojë shtatë persona kanë mbetur të lënduar. Mes tyre raportohet të jetë edhe një fëmijë, si dhe një grua shtatzënë në muajin e shtatë, çka e bën situatën edhe më të ndjeshme.
Të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Prizrenit, ku po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor. Fatmirësisht, deri në këto momente nuk raportohen viktima.
Aksidenti ka sjellë pasoja edhe në qarkullimin rrugor, pasi njëra korsi në drejtimin Prizren–Morinë është bllokuar përkohësisht, duke krijuar radhë të gjata automjetesh dhe vonesa për drejtuesit.
Autoritetet përkatëse ndodhen në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e këtij aksidenti të rëndë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



