Vrasja e policit Enea Mekolli, Hita i dorëzon familjes medaljen e mirënjohjes
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, i dorëzoi familjes së Dëshmorit të Atdheut medaljen e mirënjohjes, akorduar Inspektorit Enea Mekolli për aktin e tij sublim në krye të detyrës.
Me rastin e ditëlindjes së djalit të Dëshmorit të Atdheut, Enea Mekolli, kreu i Policisë së Shtetit, i shoqëruar nga drejtues të lartë të institucionit, zhvilloi një vizitë në familjen Mekolli, në një moment sa të dhimbshëm, aq edhe domethënës për kujtimin dhe nderimin e figurës së tij.
Gjatë kësaj vizite, Hita shprehu mbështetjen dhe solidaritetin e institucioneve ndaj familjes së të ndjerit, duke theksuar se sakrifica e tij nuk do të harrohet.
“E di që asnjë fjalë dhe asnjë mbështetje nuk mund ta zëvendësojë Enean. Unë nuk jua kthej dot Enean tonë, por dua t’ju siguroj se nuk do të jeni kurrë vetëm. Unë, Policia e Shtetit, çdo punonjës policie, Ministria e Brendshme dhe Qeveria Shqiptare do të jemi gjithmonë pranë jush, për t’ju mbështetur në çdo nevojë dhe në çdo moment.
Djali i Eneas mbushi një vjeç. Është një ditëlindje e mbushur me dhimbje për mungesën e babait, por edhe me krenari për trashëgiminë që ai i ka lënë.
Djali i Dëshmorit tonë tashmë ka statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” dhe deri në përfundimin e arsimit të lartë, do të përfitojë pagën e plotë të Eneas, arsim dhe shërbim shëndetësor falas, si dhe të gjitha të drejtat e tjera që parashikon ligji. I urojmë jetë të gjatë, shëndet dhe mbarësi këtij engjëlli. Urojmë që të rritet me krenarinë se babai i tij dha jetën në shërbim të atdheut dhe të qytetarëve”, tha Hita.
Në kuadër të kësaj vizite, Drejtori i Përgjithshëm i dorëzoi familjes edhe dokumentacionin që njeh djalin e Dëshmorit me statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”, medaljen e mirënjohjes për Inspektorin Enea Mekolli, si dhe një çek simbolik me vlerën 7 milionë lekë të rinj, shumë e cila është transferuar në llogarinë bankare të familjes.

Ky kontribut vjen nga vetë punonjësit e Policisë së Shtetit, si një shenjë solidariteti dhe respekti për sakrificën e kolegut të tyre.
“Ky është një kontribut i mbledhur me zemër nga punonjësit e Policisë së Shtetit, si një shenjë respekti, mirënjohjeje dhe solidariteti për sakrificën sublime të Eneas, si dhe mbështetje për familjen e Dëshmorit të Atdheut.
Ne kemi detyrimin moral dhe institucional të kujdesemi për familjen e tij dhe këtë detyrim do ta përmbushim me përgjegjësi dhe përkushtim.
Ju humbët djalin tuaj, ne humbëm një koleg, një mik dhe një punonjës policie shembullor. Por emri dhe sakrifica e Eneas nuk do të harrohen kurrë. Ne do të qëndrojmë pranë jush, ndërsa kujtimi i tij do të jetojë përherë në zemrat tona, në historinë e Policisë së Shtetit dhe në nderimin e gjithë shqiptarëve”, shtoi Hita.
Familjarët e Dëshmorit, mes dhimbjes së thellë dhe krenarisë për sakrificën e tij, falënderuan Drejtorin e Përgjithshëm për mbështetjen e vazhdueshme që nga dita kur Enea Mekolli ra në krye të detyrës.
Ata shprehën gjithashtu mirënjohjen për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, për solidaritetin dhe kontributin e dhënë në mbështetje të familjes së tyre në këtë periudhë të vështirë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



