Si u “çmendën” trafikantët shqiptarë pas vajzave në Ekuador
“Si ndahet më kjo latinia, gjithë ditën…”
Komunikimet e zbërthyera nga platforma Sky ECC kanë nxjerrë në dritë detaje të reja mbi aktivitetin e një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Nga këto biseda rezulton se anëtarët e këtij rrjeti, të drejtuar nga Luçiano Koçeku dhe Alfredo Hamzai, vijonin aktivitetin e tyre ndërkohë që jetonin në vende të Amerikës Latine, kryesisht në Ekuador.
Sipas hetimeve, pjesëtarët e grupit ishin të shpërndarë në disa shtete si Kolumbi, Ekuador, Brazil dhe vende të tjera të rajonit, ku përveç aktivitetit kriminal, kishin krijuar edhe lidhje personale me vajza latine. Bisedat e zbuluara tregojnë jo vetëm për operacionet e tyre, por edhe për marrëdhëniet romantike që kishin ndërtuar gjatë qëndrimit në këto vende.
Në komunikimet e siguruara nga Sky ECC, evidentohet gjuha informale dhe raportet mes anëtarëve:
Bisedat në Sky ECC:
ONJNHP: Vlla na u dashuru kteja si ndahet më ksaj hahahahaha
ONJNHP: Gjith ditën dora në qafë
7B9F5E: Jalla jalla ajde për hajer
ONJNHP: Kur të vije me latine te vegjel poshte hahahahahahaha
ONJNHP: Me ato të capricos ke folur ti, sepse une kam një muaj e gjys nuk kam folur.
ONJNHP: I thashë vlla pyesni shokun andeja për punë sepse ma ka lënë…
Në qershor të këtij viti, Prokuroria e Posaçme në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ndërmorën një operacion të gjerë kundër këtij rrjeti kriminal, i cili dyshohet se merrej me trafikimin e kokainës dhe pastrimin e parave në shkallë të gjerë.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar lëshoi 20 urdhër-arreste, megjithëse vetëm një pjesë e tyre u ekzekutuan. Sipas SPAK, grupi siguronte kokainë nga vende si Kolumbia, Ekuadori, Bolivia, Porto-Riko dhe Brazili, duke e transportuar drejt Europës. Paratë e përfituara nga ky aktivitet dyshohet se pastroheshin përmes investimeve, kryesisht në sektorin e ndërtimit, ku përmenden emrat e biznesmenëve Ilir Shtufi dhe Artur Shehu.
Ilir Shtufi konsiderohet një emër i njohur në fushën e ndërtimit në Tiranë, ku ka realizuar disa projekte të mëdha. Ai është përmendur edhe për lidhje me Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha. Kompanitë e tij kanë qenë më herët objekt hetimi nga SPAK lidhur me një tender në lotin e katërt të Unazës së Madhe.
Ndërkohë, drejtuesit e dyshuar të grupit, Artur alias Luçiano Koçeku dhe Alfredo Hamzai, rezultojnë të jenë jashtë vendit. Sipas hetimeve, droga transportohej drejt vendeve si Belgjika dhe Holanda, duke u maskuar në ngarkesa si qymyr druri, pasta frutash apo të fshehura në kontejnerë përmes kompanive të transportit detar.
Procesi i përpunimit dhe ekstraktimit kimik të kokainës realizohej në ambiente të marra me qira në vendet e destinacionit, për t’u shpërndarë më pas në tregun europian. Në kuadër të këtij operacioni, SPAK ka vendosur sekuestro preventive mbi kompani, prona të paluajtshme, automjete luksoze dhe llogari bankare që dyshohet se arrijnë vlerën mbi 100 milionë euro.
Luçiano Koçeku rezulton pronar i plotë i shoqërisë “G.A.V Invest”, e themeluar në vitin 2022, me aktivitet në projektim, ndërtim dhe tregtim materialesh ndërtimi, si dhe aksionar në dy kompani të tjera. Gjithashtu, janë vendosur masa sekuestroje edhe ndaj disa llogarive bankare të Artur Shehut dhe kompanive të Ilir Shtufit.
Në hetim përfshihet edhe biznesmeni Orgest Birçaj, i njohur për tregtinë e automjeteve luksoze. Një tjetër emër është Orest Sota, i arrestuar në vitin 2017 me 863 mijë euro në automjet, çështje që më pas u pushua. Ai është paraqitur në prokurori si person që ka dijeni edhe për hetime të tjera, përfshirë ato ndaj AKSHI-t.
Urdhër-arrestet e lëshuara nga GJKKO më 12 qershor 2026:
Ardian Zykaj
Alfredo Hamzai
Adrian Rama
Erjon Rama
Orgest Bircaj
Orest Sota
Elton Memeti
Artur Shehu
Leonard Bishaj
Arben Ismaili
Edmond Jaupi
Besnik Myftari
Dritan Aga
Luciano Koceku alias Artur Koceku
Dino alias Abedin Koceku
Ervin Koceku
Astrit Vladi
Kastriot Vladi
Gëzim Islami
Ilir Shtufi
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



