E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kishte kthyer shtëpinë në thertore, arrestohet 62-vjeçari
Lajme

Kishte kthyer shtëpinë në thertore, arrestohet 62-vjeçari

Mbetjet i hidhte direkt në lumin Vjosë

Një rast i rëndë që prek drejtpërdrejt sigurinë ushqimore dhe mjedisin është zbuluar në fshatin Qilarisht të Përmetit, ku një banesë private ishte kthyer në një thertore të paligjshme. Sipas autoriteteve, mbetjet e therjeve përfundonin pa asnjë filtër në lumin Vjosë, duke shkaktuar ndotje të konsiderueshme.

Operacioni u zhvillua nga Policia e Përmetit në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe specialistët e AKU-së në Gjirokastër. Si rezultat, u arrestua pronari i ambientit, shtetasi A. L., 62 vjeç, i cili kishte përshtatur shtëpinë e tij për aktivitet të paligjshëm therjeje.

Gjatë kontrollit në ambientet e banesës, autoritetet konstatuan dhjetëra krerë bagëti të imta, disa në proces therjeje dhe të tjera tashmë të therura. Po ashtu, u gjetën edhe matrikuj që dyshohen të jenë të falsifikuar, çka shton dyshimet për një aktivitet të organizuar jashtë çdo standardi ligjor dhe veterinar.

Një nga zbulimet më shqetësuese ishte ekzistenca e një tubacioni të posaçëm, përmes të cilit mbetjet e therjes shkarkoheshin drejtpërdrejt në lumin Vjosë. Ky veprim përbën një rrezik serioz për ekosistemin dhe ndotje të rëndë të një prej lumenjve më të rëndësishëm në vend.

Pas ndërhyrjes, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vendosi bllokimin e menjëhershëm të aktivitetit dhe gjobiti pronarin me 200 mijë lekë të rinj.

Ndërkohë, hetimet kanë përfshirë edhe dy mjekë veterinerë, shtetasit L. D., 54 vjeç, dhe Y. H., 66 vjeç, të cilët janë proceduar penalisht për veprën “Shpërdorim detyre”. Sipas dyshimeve, ata nuk kanë kryer kontrollet e detyrueshme mbi bagëtitë që thereshin në këtë ambient, duke lejuar funksionimin e aktivitetit jashtë çdo standardi ligjor.

Rasti në Qilarisht nxjerr në pah problematika serioze që lidhen me kontrollin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e mjedisit, duke ngritur pikëpyetje mbi funksionimin e mekanizmave mbikëqyrës në terren.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.