E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ligji i ri për kriptot: Tatimet marrin kontrollin mbi çdo transaksion
Ekonomi

Ligji i ri për kriptot: Tatimet marrin kontrollin mbi çdo transaksion

Një projektligj i ri i hedhur për konsultim publik nga Ministria e Financave synon të vendosë një kornizë të plotë kontrolli mbi tregun e kripto-aseteve në Shqipëri, duke i dhënë një rol qendror Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në mbikëqyrjen dhe shkëmbimin e informacionit me vendet e Bashkimit Evropian.

Sipas draftit, Tatimet do të jenë institucioni përgjegjës për grumbullimin, përpunimin dhe transmetimin e të dhënave mbi transaksionet me kripto-asete, në përputhje me standardet e vendeve anëtare të BE-së. Kjo përfshin një sistem të detajuar raportimi për çdo lëvizje financiare në këtë sektor.

Një nga pikat kyçe të projektligjit është detyrimi për ofruesit e shërbimeve të kripto-aseteve që të identifikojnë qartë klientët e tyre. Përmes një vetëdeklarimi, përdoruesit duhet të japin të dhëna të plota si emri, adresa, vendbanimi fiskal, numri i identifikimit tatimor dhe data e lindjes. Në rastin e subjekteve juridike, kërkohet edhe identifikimi i pronarëve përfitues dhe personave që ushtrojnë kontroll.

Platformat e kriptove do të kenë detyrimin të raportojnë një gamë të gjerë transaksionesh, përfshirë konvertimet mes kripto-aseteve dhe monedhave tradicionale, shkëmbimet ndërmjet vetë kriptomonedhave, si dhe transferimet drejt apo nga kuletat digjitale të përdoruesve.

Për çdo kripto-aset, do të duhet të deklarohet vlera totale e transaksioneve, numri i njësive të përfshira, si dhe numri i operacioneve të blerjes dhe shitjes. Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe transfertave drejt adresave digjitale që nuk lidhen me operatorë të licencuar financiarë.

Projektligji parashikon gjithashtu raportimin e pagesave për mallra apo shërbime të kryera me kripto-asete, në rastet kur vlera e një transaksioni tejkalon pragun prej 50 mijë dollarësh ose ekuivalentin në valuta të tjera.

Raportimi do të kryhet çdo vit, deri më 30 qershor të vitit pasardhës, ndërsa subjektet do të detyrohen të ruajnë dokumentacionin për një periudhë minimale prej shtatë vitesh dhe ta vënë atë në dispozicion të autoriteteve tatimore kur kërkohet.

Një tjetër element i rëndësishëm është vendosja e masave ndaj përdoruesve që refuzojnë të japin të dhënat e kërkuara. Nëse pas dy njoftimeve brenda një periudhe jo më të shkurtër se 60 ditë nuk plotësohen detyrimet, platformat do të jenë të detyruara të bllokojnë llogaritë dhe të ndalojnë çdo transaksion.

Ndërkohë, operatorët e kripto-aseteve do të duhet të regjistrohen pranë Tatimeve dhe të pajisen me një numër identifikimi unik (NIPT), ndërsa Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të raportojë çdo zhvillim që lidhet me licencimin, pezullimin apo revokimin e aktivitetit të tyre.

Projektligji parashikon edhe masa ndëshkuese për shkeljet. Mosraportimi, mosregjistrimi apo pengimi i kontrolleve do të penalizohet me gjoba që variojnë nga 700 mijë deri në 1 milion lekë. Ndërsa deklarimi i pasaktë i të dhënave, mosverifikimi i klientëve apo mungesa e dokumentacionit do të ndëshkohen me gjoba nga 300 mijë deri në 700 mijë lekë.

Ky draft synon të krijojë bazën ligjore për identifikimin e operatorëve të kripto-aseteve dhe për rritjen e transparencës në këtë treg në zhvillim. Edhe pse ligji pritet të hyjë në fuqi pak ditë pas publikimit në Fletoren Zyrtare, zbatimi i plotë i tij lidhet drejtpërdrejt me momentin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.