Burgu i Shënkollit drejt kthimit në institucion të shëndetit mendor
Ministri Gogu: Projekti kërkon disa vite; hapen dy ditë në javë për zgjidhjen e çështjeve të pronave
Burgu i Shënkollit në Lezhë pritet t’i nënshtrohet një transformimi të thellë, duke u kthyer në një institucion të specializuar për shëndetin mendor. Lajmi u bë publik nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja Gogu, gjatë një konference për shtyp, ku theksoi se ky është një projekt afatgjatë që do të kërkojë disa vite për t’u realizuar plotësisht.
“Kemi një plan dhe do të jetë institucion i shëndetit mendor. Atje do të trajtohen të dënuarit ashtu siç trajtohen të dënuarit që vuajnë nga shëndeti europian në çdo vend europian. Do të marrë disa vjet”, tha Gogu.
Sipas ministrisë, projekti synon jo vetëm ndryshimin e funksionit të institucionit, por edhe rritjen e standardeve të trajtimit për të dënuarit që kanë probleme të shëndetit mendor. Dyfishimi i nivelit të sigurisë dhe përfshirja e programeve të rehabilitimit janë ndër objektivat kryesore që pritet të zbatohen në këtë qendër.
Në të njëjtën dalje publike, ministri u ndal edhe te çështjet e pronave, duke njoftuar masa konkrete për përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve. Ai bëri të ditur se qytetarët do të kenë mundësi të komunikojnë drejtpërdrejt me drejtuesit e Agjencisë së Trajtimit të Pronave në ditë të caktuara të javës.
“Çdo të mërkurë, të gjithë ata që kanë problem me Agjencinë e Trajtimit të Pronave, drejtori ju pret për kthimin e kompensimit dhe të enjteve për njohjen e pronësisë. Drejtori i Përgjithshëm ka hartuar një plan për shërbimin ndaj qytetarëve dhe e dimë fare mirë që është një nga ato tema që çdo familje ka përjetim të hidhur”, tha ministri.
Sa i përket amnistisë penale të zbatuar më 15 korrik, Gogu deklaroi se nga kjo masë kanë përfituar rreth 2300 persona, duke theksuar se përjashtimet janë bërë për kategori të caktuara veprash penale.
“E di që ka krijuar debatin publik që ka krijuar çdo amnisti, por kriteret e amnistisë i vendos Kuvendi i Republikës që i ka miratuar ato dhe ne kemi zbatuar duke bërë përjashtime, krimi i organizuar, korrupsioni, vrasje në rrethana cilësuese, terrorizmi”, u shpreh ai.
Ministri nënvizoi gjithashtu se 7 të miturit që kanë përfituar nga amnistia janë përfshirë në programe individuale riintegrimi, me qëllim rikthimin e tyre në shoqëri.
Në kuadër të procesit të integrimit europian, Gogu bëri të ditur se synimi është përshpejtimi i përmbushjes së detyrimeve, me objektiv mbylljen e kapitujve deri në fund të vitit 2027.
“Objektivi ynë është që vitin tjetër në shtator të kemi mbyllur detyrat e shtëpisë”, tha Gogu.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



