Ujë me piper ndaj saj dhe të birit me autizëm, Rama shfrenon gojën
“E përdhunuan, e nxorën në mexhelis”
Një episod tronditës u regjistrua gjatë protestës së zhvilluar para Kuvendit të Shqipërisë, ku një nënë u përball me forcat e rendit teksa përpiqej të mbronte djalin e saj me spektër autizmi. Sipas pamjeve që qarkulluan gjerësisht, i riu u ekspozua ndaj spray-t irritues, duke shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe rrjetet sociale.
Ngjarja u konsiderua nga shumë qytetarë si një moment i rëndë dhe i papranueshëm, duke nxitur diskutime mbi përdorimin e forcës nga policia në situata ku përfshihen persona vulnerabël.
Pas publikimit të pamjeve, reagoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili e interpretoi situatën në një tjetër këndvështrim. Ai akuzoi organizatorët e protestës se kishin përdorur nënën dhe fëmijën si pjesë të një skenari për të krijuar përplasje dhe për të prodhuar imazhe të forta për publikun.
Sipas Ramës, nëna dhe djali i saj u ekspozuan në mënyrë të qëllimshme në një ambient të tensionuar, duke u kthyer në viktima të një situate të nxitur nga protestues të dhunshëm. Ai theksoi se policia ishte në detyrë për të garantuar sigurinë e institucioneve dhe për të mbrojtur deputetët nga aktet e dhunës.
Në deklaratën e tij, kryeministri nënvizoi gjithashtu se qeveria ka rritur mbështetjen për fëmijët me spektër autizmi dhe familjet e tyre, ndërsa pranoi se përjetimi i një prindi në situata të tilla mbetet i vështirë dhe shpesh i mbushur me ndjenjë vetmie.
“Një histori që e keni parë të gjithë. Atë nënën, me fëmijën me spektër autik, të cilën korbat e kishin marrë me vete te parlamenti, për t kthyer në viktimën e policisë për të mbrojtur deputetët ng atë verbrit e dhunshëm të Shqipërisë. Ne sapo kemi dyfishuar mbështetjen për fëmijët autikë dhe për nënat e tyre. Përjetimi i asaj nëne është tjetër Ajo mund të mos jetë e informuar, ose dhe mund të jetë. Por ajo nuk e ka ndjerë kurrë empatinë tonë në fundin e atij hendeku mes faktit tonë dhe përjetimit të vetmisë së saj dëshpëruese. Në fund të endekut e futën sorrat dhe korbat, dorën e solidaritetit të tyre hipokrit për ta marrë me vete te Parlamenti, me të njëjtin manual që përdorin terroristët që i përdorin si mburojë teksa sulmonin me maska policinë e shtetit. E vunë para kamerave, e përdhunuan dhe e nxorën në mexhelis për t’i qarë hallin. E futën në rrjet, dhe më pas e lanë në fatin e saj dhe u nisën për te mikrofoni në Bulevard. Si ata skuthat e zinj që i kemi parë në përdorimin e këtij manuali që çojnë mish përtop të tjerët dhe kërkojnë solidaritet për të shkretët njerëz duke mbajtur fjalime në emër të viktimave të shtetit policor,” tha Rama.
Ngjarja ka thelluar edhe më tej ndarjen e opinionit publik, ku një pjesë dënon përdorimin e forcës ndaj qytetarëve, ndërsa të tjerë fokusohen te përgjegjësia e organizatorëve për përfshirjen e personave vulnerabël në protesta të tensionuara.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



