E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pengmarrja pas krimit në Fier, zbardhet dëshmia e 24-vjeçares
Lajme

Pengmarrja pas krimit në Fier, zbardhet dëshmia e 24-vjeçares

Grupi hetimor pritet të rikthehet sërish në marrjen në pyetje të 24-vjeçares Rozalinda Plaka, e cila u mbajt peng për disa orë nga ish-partneri i saj, Refit Buzi, pas një ngjarjeje të rëndë kriminale që tronditi Roskovecin. Autori fillimisht vrau babanë e saj dhe plagosi rëndë nënën, e cila fatkeqësisht humbi jetën disa orë më vonë.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se dëshmia fillestare e të resë nuk ka ndihmuar në zbardhjen e motiveve që çuan 35-vjeçarin drejt aktit ekstrem, i cili më pas i dha fund jetës pas rreth 10 orësh negociata intensive me Policinë dhe forcat RENEA.

Sipas informacioneve të deritanishme, Rozalinda Plaka ka përshkruar vetëm momentet dramatike të mëngjesit të 24 korrikut brenda banesës së saj. Në një gjendje të rënduar emocionale, ajo ka treguar se ishte në gjumë kur u zgjua nga zhurma të pazakonta. Në momentin që hapi sytë, pa ish-partnerin në dhomë, të armatosur me një armë gjahu.

“Në atë moment më kërcënoi dhe më detyroi të dilja jashtë e të hipja në makinë, duke më urdhëruar ta ndiqja nga pas”, mësohet të ketë deklaruar ajo. 24-vjeçarja ka shtuar se në ato çaste nuk kishte dijeni për tragjedinë që kishte ndodhur në shtëpi. Ajo ka parë babanë e saj të pajetë në kuzhinë, ndërsa nuk kishte mundur të shihte nënën.

Lidhur me motivet e mundshme të krimit, përfshirë përfundimin e marrëdhënies mes tyre apo pretendimet e autorit për një shumë prej 830 mijë paundësh të dërguara nga Anglia, e reja nuk ka dhënë shpjegime të detajuara. Kjo ka shtyrë hetuesit të planifikojnë një tjetër marrje në pyetje për të thelluar hetimet dhe për të hedhur më shumë dritë mbi rrethanat e plota të ngjarjes.

Krimi i rëndë ndodhi në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku humbi jetën Kosta Plaka dhe u plagos rëndë bashkëshortja e tij, Belere Plaka, e cila ndërroi jetë disa orë më pas. Autori, Refit Buzi, i rrethuar nga forcat e rendit, refuzoi të dorëzohej dhe kreu vetëvrasje brenda automjetit të tij pas një periudhe të gjatë negociatash.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur pikëpyetje të forta mbi motivet dhe dinamikën e plotë të krimit, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur çdo detaj.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.