Gara për Prokurorin e Përgjithshëm, Marku dhe Pjetërnikaj drejt garës
Procesi për përzgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm po hyn në një fazë më të nxehtë, teksa lista e kandidatëve pritet të zgjerohet ndjeshëm në ditët në vijim. Krahas emrave që kanë formalizuar tashmë aplikimin, burime nga sistemi i drejtësisë sinjalizojnë hyrjen në garë të figurave të tjera me peshë.
Së fundmi, një tjetër kandidat i është bashkuar zyrtarisht këtij procesi. Bëhet fjalë për Ylli Pjetërnikajn, i cili ka dorëzuar dokumentacionin pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke hyrë kështu në garën për postin më të lartë të akuzës në vend.
Pjetërnikaj vjen me një profil të konsoliduar profesional. Ai është pedagog në Shkollën e Magjistraturës dhe mban titullin “Doktor i Shkencave” në drejtësi. Në karrierën e tij ka shërbyer si prokuror në disa prej qyteteve kryesore të vendit, përfshirë Kukësin, Lezhën, Tiranën dhe Shkodrën, duke ndërtuar një eksperiencë të gjerë në sistemin e drejtësisë.
Ndërkohë, burime të tjera bëjnë me dije se në garë mund të përfshihet edhe ish-Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku, një zhvillim që pritet të rrisë ndjeshëm interesin dhe rivalitetin për këtë post kyç.
Deri në këtë fazë, kërkesën për kandidim e kanë dorëzuar edhe prokurori i SPAK, Adnan Xholi, si dhe prokurorja e Prokurorisë së Tiranës, Rovena Zoto (Bozo), duke e bërë garën gjithnjë e më konkurruese.
Afati zyrtar për paraqitjen e kandidaturave përfundon më 1 gusht, çka do të përcaktojë listën përfundimtare të pretendentëve për drejtimin e institucionit më të rëndësishëm të ndjekjes penale në Shqipëri.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



