E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Për hallet e popullit “as që i kërcet”, Rama vajton djegien e teserave të PS
Lajme

Për hallet e popullit “as që i kërcet”, Rama vajton djegien e teserave të PS

“Akt i turpshëm”

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj polemikave të krijuara pas publikimit të draftit për reformën e re administrativo-territoriale, duke mohuar zërat për përçarje apo protesta brenda Partisë Socialiste.

Në një reagim në rrjetin social X, kreu i qeverisë e cilësoi si të papranueshëm aktin e djegies së teserave të PS, ndërsa kritikoi edhe disa deputetë që, sipas tij, kanë folur pa kuptuar thelbin e debatit.

Rama theksoi se pretendimet për pakënaqësi të brendshme janë të ekzagjeruara dhe nuk pasqyrojnë realitetin, duke i cilësuar si narrativë të nxitur për qëllime politike.

Sipas tij, drafti i reformës ndodhet aktualisht në fazën ligjore të konsultimit publik 60-ditor, një proces që u jep mundësi qytetarëve, institucioneve dhe përfaqësuesve vendorë të shprehin lirisht mendimet e tyre.

Kryeministri sqaroi se shprehja e qëndrimeve kundërshtuese është normale dhe e mirëpritur, për sa kohë zhvillohet në mënyrë paqësore dhe në respekt të ligjit. Ai shtoi se kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë kanë detyrimin ligjor të paraqesin me shkrim opinionet e tyre mbi reformën.

Rama hodhi poshtë gjithashtu idenë se në vend ekziston një “regjim”, duke theksuar se në PS nuk ka dhe nuk do të ketë pengesa për shprehjen e mendimit të lirë.

Në vijim, ai nënvizoi se vendimmarrja përfundimtare do t’i takojë Parlamentit, ndërsa gjatë periudhës së konsultimit çdo palë do të dëgjohet dhe informohet mbi arsyet e propozimeve.

Kreu i qeverisë kritikoi përdorimin e argumenteve historike apo emocionale në këtë debat, duke theksuar se reforma bazohet në kritere logjike dhe funksionale, dhe jo në gojëdhëna apo interpretime të së kaluarës.

Reagimi i Edi Ramës:

Vazhdon qarja e hallit të kalorësit se po i varen këmbët, së fundi edhe me një agjitim të madh nga vajtorët e vajtojcat, që tanimë po protestohet edhe “brenda PS” dhe kjo qenka një shenjë tmerrësisht e keqe për “regjimin”.

Në fakt jo, përjashto aktin e turpshëm të djegies së teserave të PS në një rast, nga disa individë që as vetë s’kanë ditur tamam ç’kanë bërë apo ndonjë rast kur deputetë tanët kanë bërë “tribunin e vegjëlisë” pa ditur tamam çfarë thonë, gjithçka tjetër është jo vetëm normale po edhe e mirëseardhur.

Një, sepse dokumenti i reformës së propozuar është pikërisht në fazën e vet të konsultimit publik ligjor prej 60 ditësh dhe kjo fazë do të thotë pikërisht, bujrum gjithkush të shprehet lirisht për propozimin.

Dy, sepse sipas ligjit kryetarët e bashkive e këshillat bashkiakë duhet të shprehen me shkrim për qëndrimet e tyre dhe është krejt e kuptueshme që ata që janë kundër të shprehen edhe me forma të tjera paqësore – për sa kohë nuk bllokojnë rrugë e nuk pengojnë të tjerët të bëjnë jetën e tyre, duke u futur vetë në konflikt me ligjin dhe me PS bashkë.

Tre, sepse as në Shqipëri nuk ka regjim, as në PS nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë vendim për të shkurajuar askënd që të shprehë opinionin e vet për këtë reformë, për të cilën sigurisht do të vendosë parlamenti, por deri atëherë të gjithë do të dëgjohen, përfshirë edhe bashkitë që mund të duan të integrojnë tek vetja bashki më të vogla që në propozimin aktual mbeten siç janë.

Nga ana tjetër të gjithë do të informohen shumë më tepër përgjatë këtyre 60 ditëve lidhur me arsyet logjike të propozimeve – ku nuk ka pasur si të merren parasysh reputacioni i zonës bashkiake që nga koha e antikitetit, numri i të rënëve në luftrat e 2000 vjetëve të fundit apo të tjera të dhëna e gojëdhana të kësaj natyre, të cilat s’kanë qenë dhe s’mund të jenë farë argumenta në këtë debat.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.