E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vijojnë krisjet në PS, edhe Vullnet Sinaj i del kundër Ramës për bashkitë
Lajme

Vijojnë krisjet në PS, edhe Vullnet Sinaj i del kundër Ramës për bashkitë

Deputeti i Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj, ka dalë hapur kundër draftit të ri për reformën administrativo-territoriale, duke kundërshtuar konkretisht idenë e bashkimit të Bashkisë së Selenicës me atë të Vlorës. Përmes një reagimi publik, ai thekson se çdo vendimmarrje duhet të mbështetet mbi analiza të mirëfillta dhe mbi të gjitha të reflektojë interesin e drejtpërdrejtë të qytetarëve.

Sipas Sinajt, një nga problemet kryesore që ndikon në funksionimin e pushtetit vendor është mënyra e shpërndarjes së buxhetit të shtetit. Ai argumenton se pjesa dërrmuese e financave administrohet nga qeveria qendrore, ndërsa bashkitë përfitojnë një pjesë minimale, çka kufizon ndjeshëm kapacitetet e tyre për zhvillim.

Deputeti nënvizon se zgjidhja nuk qëndron te reduktimi i numrit të bashkive, por te rritja e financimit për to, sidomos në projekte infrastrukturore dhe në mbështetje të zonave që kanë më shumë nevojë për investime. Ai thekson se transfertat e pakushtëzuara nga buxheti i shtetit mbeten të pamjaftueshme dhe kërkojnë rishikim të thellë.

Në analizën e tij mbi performancën e Bashkisë Selenicë, Sinaj sjell në vëmendje disa tregues kyç që, sipas tij, dëshmojnë se kjo njësi vendore është funksionale dhe e qëndrueshme. Selenica renditet në mesin e bashkive me performancë mesatare në nivel kombëtar, duke ruajtur tregues ekonomikë mbi mesataren dhe një nivel të ulët detyrimesh të prapambetura. Po ashtu, paga mesatare në këtë bashki rezulton konkurruese krahasuar me njësi të tjera të ngjashme.

Ai pranon se shpërndarja e popullsisë në zona rurale ndikon në indeksin urban, por thekson se kjo është pikërisht arsyeja pse Selenica duhet të mbetet bashki më vete, për të garantuar afërsinë e shërbimeve me qytetarët dhe për të shmangur centralizimin e tyre.

Një tjetër argument i fortë lidhet me pasuritë natyrore që ndodhen në territorin e Selenicës. Sinaj thekson se kjo zonë përfshin burime të rëndësishme minerare dhe energjetike, përfshirë prodhimin e konsiderueshëm të naftës. Megjithatë, sipas tij, përfitimet që i rikthehen bashkisë nga renta minerare janë minimale, për shkak të një kuadri ligjor që favorizon nivelin qendror.

Ai rikujton përpjekjet e tij për të rritur përqindjen e përfitimit për bashkitë nga renta minerare, duke propozuar një rritje të ndjeshme të saj, por pa arritur të konkretizohet një ndryshim i tillë deri më tani.

Në përfundim, Sinaj shprehet se Bashkia Selenicë i plotëson të gjitha kriteret për të vijuar funksionimin si njësi më vete dhe i bën thirrje Kuvendit që të marrë në konsideratë realitetin në terren dhe zërin e komunitetit lokal, përpara se të marrë një vendim përfundimtar.

Reagimi i plotë:

SELENICA, BASHKI MË VETE!
Pasi u njoha me projektin e ri të reformës administrativo-territoriale, po paraqes argumentet e mia lidhur me kundërshtimin e idesë së bashkimit të bashkisë së Selenicës me atë të Vlorës.
Mendimi im është që duhet dëgjuar zëri i ekspertëve, por mbi të gjitha zëri dhe interesi i qytetarëve.
Gjatë diskutimeve për buxhetin e shtetit, qëndrimi im ka qënë se, ndarja e buxhetit të shtetit mes qeverisjes qendrore dhe pushtetit vendor është e padrejtë. Rreth 90% e buxhetit administrohet nga qeveria qendrore, ndërsa vetëm 10% u shkon 61 bashkive të vendit.
Kam bindjen se transfertat e pakushtëzuara që marrin bashkitë nga buxheti i shtetit janë shumë të ulëta. Nëse do të bënim një ndarje të drejtë të buxhetit të shtetit duke shtuar buxhetin për qeverisjen vendore, nuk do të kishim nevojë të zvogëlojmë numrin e bashkive, por të rrisim financimin e tyre, veçanërisht për investime në infrastrukturë, duke mbështetur bashkitë që kanë më shumë nevojë.
Raporti përfundimtar “Reforma Administrativo-Territoriale 2.0” nxjerr në pah vetë treguesit pozitivë të Bashkisë Selenicë:
1.Funksionaliteti si bashki
Selenica renditet e 29-ta në rang kombëtar, me një IFB (Indeks të Funksionalitetit të Bashkive) prej 57.3.
2.Performanca ekonomike
Edhe në këtë tregues renditet e 29-ta në vend, me një IPE (Indeks të Performancës Ekonomike) prej 42.2, mbi mesataren kombëtare.
Paga mesatare është 58.386 lekë, pothuajse në nivelin e mesatares kombëtare dhe më e lartë se në shumë bashki të ngjashme për nga madhësia.
Detyrimet e prapambetura janë vetëm 3.6%, një tregues më i mirë se mesatarja kombëtare.
3.Indeksi i Masës Urbane (IMU)
I vetmi tregues që mund ta penalizojë Selenicën është IMU-ja, për shkak se popullsia është e shpërndarë në shumë fshatra dhe jo e përqendruar në një qendër urbane.
Por, pikërisht për këtë arsye, Selenica duhet të jetë bashki, ndryshe do t’i largonte edhe më shumë shërbimet nga qytetarët.
Nëse do të ndiqej logjika e funksionalitetit dhe performancës ekonomike, atëherë edhe disa bashki të tjera, të cilat renditen më poshtë se Selenica, do të duhej të mos quheshin më bashki. Por kjo nuk po ndodh.
Komisioni pretendon se treguesit ekonomikë të Bashkisë Selenicë janë të ulët, duke u mbështetur te numri i bizneseve.
Po si ka mundësi që anëtarët e Komisionit kanë harruar se Selenica ka brenda territorit të saj dy nga pasuritë minerare më të rëndësishme të vendit. Minierën e Selenicës dhe ndërmarrjen më të madhe të prodhimit të naftës në Shqipëri, atë të Gorrishtit.
A ka dijeni Komisioni sa rentë minerare përfiton shteti nga prodhimi i rreth 35 mijë tonëve naftë bruto në vit nga Gorrishti i Selenicës?
Cilat nga bashkitë që do të quhen bashki pas reformës japin një kontribut kaq të madh në buxhetin e shtetit?!
Problemi i vërtetë qëndron te ligji për taksat kombëtare.
Bashkive që kanë pasuri natyrore u kthehet vetëm 5% e rentës minerare (e cila është 10%), që në praktikë përkthehet në vetëm 0.5% të vlerës së prodhimit.
Për katër vite me radhë jam përpjekur për ta ndryshuar këtë ligj. Në këtë iniciativë m’u bashkua edhe OSBE-ja, por sërish nuk arritëm ta realizojmë këtë ndryshim, në mënyrë që vlera që përfitojnë bashkitë, të shkonte nga 5% në 30% të rentës minerare.
Në përfundim, unë mendoj se bashkia Selenicë i plotëson të gjitha kriteret, për të vazhduar të funksionojë me sukses si bashki më vete.
Uroj që Kuvendi i Shqipërisë ta respektojë këtë realitet, të dëgjojë zërin e qytetarëve dhe ta lejojë Selenicën të vazhdojë të funksionojë si bashki më vete!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.