Goditja e radhës për xhepat e qytetarëve, tjetër tarifë te karburantet
ALBTrace merr ekskluzivitetin e shënjimit të karburanteve, tarifa 6.5 euro për 1000 litra pritet të reflektohet në çmimin final për konsumatorët
Rikthimi i koncesionit për shënjimin dhe monitorimin e karburanteve në Shqipëri po ngre pikëpyetje mbi ndikimin e tij në treg dhe tek konsumatorët. Skema e re parashikon që ky shërbim të ofrohet ekskluzivisht nga kompania ALBTrace, një shoqëri me kapital të përbashkët publik dhe privat.
Sipas dokumentacionit zyrtar, 51% e aksioneve të ALBTrace janë në pronësi të Shtypshkronjës së Letrave me Vlerë, ndërsa 49% zotërohen nga kompania O&S Security and Solutions LLP, e regjistruar në Emiratet e Bashkuara Arabe, me bazë në zonën industriale KEZAD në Abu Dhabi.
ALBTrace do të ketë të drejtën ekskluzive për të realizuar procesin e shënjimit të karburanteve dhe për të mbledhur tarifat përkatëse. Sipas skemës së miratuar, tarifa është 6.5 euro pa TVSH për çdo 1 mijë litra karburant të importuar apo të tregtuar në vend.
Në terma konkretë, për një autobot me kapacitet 30 mijë litra, kjo tarifë përkthehet në një kosto shtesë prej 195 euro pa TVSH. Ekspertët e tregut paralajmërojnë se kjo barrë financiare do të përfshihet në çmimin final të karburanteve, duke u transferuar tek konsumatori.
Ky mekanizëm rikthen një praktikë të mëparshme në tregun shqiptar, ku shënjimi i karburanteve është përdorur si mjet kontrolli dhe monitorimi. Megjithatë, ndryshe nga e kaluara, skema aktuale vjen në një moment kur çmimet e karburanteve janë tashmë të ngarkuara me një sërë taksash.
Aktualisht, çmimi i karburanteve përfshin akcizën, taksën e qarkullimit, taksën e karbonit dhe TVSH-në. Shtimi i një tarife të re rrezikon të rrisë më tej kostot për qytetarët dhe bizneset.
Ndikimi i mundshëm nuk kufizohet vetëm tek konsumatori individual. Rritja e çmimit të karburanteve prek drejtpërdrejt sektorë kyç të ekonomisë si transporti, bujqësia, ndërtimi, industria dhe shërbimet, duke reflektuar në zinxhir në çmimet e produkteve dhe shërbimeve në treg.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



