E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Thesi plot por duart mbeten në borxhe, Ramës i dalin lekët tepër
Ekonomi

Thesi plot por duart mbeten në borxhe, Ramës i dalin lekët tepër

Qeveria mbyll 6-mujorin me 570 mln euro suficit

Buxheti i shtetit e ka mbyllur gjysmën e parë të vitit 2026 me një suficit prej 52.8 miliardë lekësh, rreth 570 milionë euro, duke shënuar një rritje prej afro 60% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Shifra vjen në një moment kur edhe shpenzimet publike janë rritur, çka tregon se suficiti nuk është krijuar për shkak të një reduktimi të shpenzimeve. Në fakt, të ardhurat e mbledhura nga shteti kanë shënuar një ritëm dukshëm më të lartë rritjeje.

Sipas të dhënave të raportuara nga Banka e Shqipërisë, gjatë gjashtë muajve të parë të vitit të ardhurat buxhetore arritën në 410.6 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 12.2%. Në të njëjtën periudhë, shpenzimet u regjistruan në 357.8 miliardë lekë, duke u rritur me 7.5% krahasuar me një vit më parë.

Në terma nominalë, diferenca mes arkëtimeve dhe shpenzimeve ishte rreth 53 miliardë lekë. Pikërisht ky hendek, i krijuar nga rritja më e shpejtë e të ardhurave në raport me shpenzimet, ka sjellë nivelin e lartë të suficitit fiskal.

Banka e Shqipërisë e ka klasifikuar këtë zhvillim si pjesë të konsolidimit fiskal. Impulsi fiskal për gjashtëmujorin e parë vlerësohet në -1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga -0.4% në fund të tremujorit të parë. Ndërkohë, suficiti fiskal është vlerësuar në 3.9% të PBB-së, krahasuar me 2.6% një vit më parë.

Nga kanë ardhur të ardhurat?

Rritja e arkëtimeve buxhetore është mbështetur nga disa kategori të ndryshme të të ardhurave. Kontributin më të madh e kanë dhënë taksat lokale, me 4.3 pikë përqindjeje, një nivel dukshëm më i lartë se kontributi mesatar i viteve të fundit.

Pas tyre renditen sigurimet shoqërore, me 3.2 pikë përqindjeje, TVSH-ja e brendshme, me 2.3 pikë, dhe tatimi mbi të ardhurat personale, me 1.8 pikë përqindjeje.

Vetëm gjatë tremujorit të dytë, të ardhurat buxhetore arritën në 204.9 miliardë lekë, duke u rritur me 10.8% në bazë vjetore.

Në këtë rritje, një rol të rëndësishëm ka luajtur TVSH-ja, e cila kontribuoi me 4.1 pikë përqindjeje në rritjen e totalit të të ardhurave. Rreth 60% e këtij kontributi erdhi nga TVSH-ja e arkëtuar mbi prodhimin vendas të mallrave dhe shërbimeve.

Një tjetër burim i të ardhurave ka qenë rivlerësimi i pasurive të paluajtshme. Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale gjatë tremujorit të dytë është ndikuar edhe nga arkëtimet që kanë ardhur si rezultat i zbatimit të ligjit për rivlerësimin e pronave.

Shpenzimet vijojnë të rriten

Pavarësisht suficitit të lartë, shpenzimet publike nuk kanë pësuar frenim. Gjatë tremujorit të dytë ato arritën në 201.1 miliardë lekë, duke shënuar një rritje vjetore prej 8.4%.

Rritja është nxitur kryesisht nga investimet publike dhe shpenzimet e pushtetit vendor.

Edhe shpenzimet primare kanë përshpejtuar ritmin e rritjes. Në tremujorin e dytë ato u rritën me 9.6%, nga 5.5% sa ishte ritmi i regjistruar në tremujorin e parë.

Kjo tablo tregon se suficiti i krijuar gjatë gjashtëmujorit nuk lidhet me një politikë të ngrirjes së shpenzimeve publike. Përkundrazi, shpenzimet kanë vijuar të rriten, por ritmi i rritjes së të ardhurave ka qenë dukshëm më i lartë.

Qeveria vijon të marrë borxh edhe në kushtet e suficitit

Një tjetër element që bie në sy në të dhënat fiskale është vijimi i huamarrjes nga qeveria, pavarësisht suficitit të konsiderueshëm.

Gjatë tremujorit të dytë, huamarrja e re neto në tregun e brendshëm u rrit me 17.4 miliardë lekë. Paralelisht, në buxhet u disbursuan edhe rreth 10.3 miliardë lekë në formën e mbështetjes buxhetore nga jashtë.

Në këtë mënyrë, gjashtëmujori i parë i vitit 2026 paraqet një tablo fiskale ku shteti ka arkëtuar ndjeshëm më shumë të ardhura sesa ka shpenzuar, ndërsa njëkohësisht ka vijuar të financohet përmes huamarrjes së brendshme dhe mbështetjes së jashtme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.