Dinamo shpërthen në Europë, triumfon me “poker” ndaj Audës
Dinamo e Tiranës ka regjistruar një tjetër fitore të rëndësishme në arenën europiane, duke mposhtur bindshëm Audën e Letonisë me rezultatin 4-0 dhe duke përmbysur humbjen 1-0 të sfidës së parë.
Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja zhvilloi një ndeshje të madhe në transfertë dhe, me fitoren e thellë, siguroi kualifikimin me rezultatin e përgjithshëm 4-1. Ky sukses i jep Dinamos mundësinë të luajë për herë të dytë në historinë e klubit në fazën play-off të Conference League.
“Blutë” e nisën takimin me intensitet dhe kontrolluan ritmin e lojës, duke kërkuar që në minutat e para golin që do të ndryshonte fatin e përballjes.
Avantazhi erdhi në minutën e 36-të. Qardaku mori përsipër një aksion individual dhe lëshoi një goditje të fuqishme nga jashtë zonës, duke e dërguar topin në cepin e portës dhe duke i dhënë Dinamos epërsinë e shumëkërkuar.
Skuadra shqiptare nuk u mjaftua me kaq. Në minutën e 45-të, Qefalia realizoi golin e dytë pas një kombinimi të bukur me Qardakun. Goditja spektakolare e tij e çoi Dinamon në dhomat e zhveshjes me një avantazh 2-0 dhe, mbi të gjitha, me kualifikimin në favor.
Edhe në pjesën e dytë, Dinamo vazhdoi të luante në sulm. Në minutën e 51-të, një kundërsulm i shpejtë u shndërrua në gol nga Ayodeji, i cili shënoi të tretin dhe e vendosi skuadrën e Dajës në një pozicion shumë komod.
Fitorja u vulos në minutën e 79-të. Fadairo dërgoi topin në rrjetë për herë të katërt, duke i dhënë fund përfundimisht çdo dileme dhe duke nisur festën e madhe të Dinamos për kualifikimin europian.
Me suksesin 4-0, Dinamo e Tiranës siguron për herë të dytë në historinë e saj një vend në play-off-in e Conference League. Në këtë fazë, skuadra shqiptare do të përballet me Pafos, ndërsa aventura europiane vijon me një tjetër sfidë të rëndësishme.
REZULTATI FINAL:
DINAMO 4-0 AUDA (4-1)
Qardaku 36’, Qefalia 45’, Ayodeji 51’, Fadairo 79’
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



