Policia ngre alarmin: Një klikim mund të “gllabërojë” paratë tuaja
Mashtruesit paraqiten si përfaqësues bankash dhe përmes linkeve të rreme synojnë të vjedhin kredencialet, kodet OTP dhe të dhënat e kartave bankare
Policia e Shtetit ka paralajmëruar qytetarët për një tjetër skemë mashtrimi online, përmes së cilës autorët synojnë të marrin të dhëna bankare dhe t’u shkaktojnë viktimave dëme financiare.
Sipas Policisë, qytetarët po marrin mesazhe në telefon ku autorët paraqiten në mënyrë të rreme si përfaqësues të institucioneve bankare. Në këto mesazhe kërkohet përditësimi i të dhënave bankare, verifikimi i llogarisë apo kryerja e veprimeve të tjera përmes një linku të përfshirë në SMS.
Bëhet fjalë për skema të njohura si “phishing”, të cilat synojnë vjedhjen e kredencialeve të e-banking, kodeve të verifikimit OTP, PIN-it dhe të dhënave të kartave bankare.
Të dhënat e përfituara në këtë mënyrë mund të përdoren më pas për kryerjen e transaksioneve të paautorizuara dhe për shkaktimin e humbjeve financiare.
Si të mbroheni?
Policia u bën apel qytetarëve që:
- Të mos klikojnë në linke të dërguara përmes SMS-ve, WhatsApp-it apo aplikacioneve të tjera, veçanërisht kur mesazhi vjen nga numra të panjohur ose të dyshimtë.
- Të mos japin kurrë fjalëkalimet, kodet OTP, PIN-in apo të dhënat e kartës bankare.
- Përpara hyrjes në shërbimet bankare online, të kontrollojnë me kujdes adresën e internetit dhe të sigurohen se po përdorin kanalet zyrtare të bankës.
- Për çdo paqartësi, të kontaktojnë bankën vetëm përmes numrave të telefonit dhe kanaleve zyrtare.
Policia thekson se bankat nuk kërkojnë të dhëna konfidenciale përmes linkeve të dyshimta.
Çfarë duhet të bëni nëse keni klikuar?
Nëse një qytetar ka klikuar në një link të dyshimtë ose ka dhënë të dhënat e tij bankare, Policia këshillon që të kontaktojë menjëherë bankën për bllokimin e kartës ose llogarisë dhe marrjen e masave të nevojshme.
Gjithashtu, duhet të ndryshohen menjëherë fjalëkalimet e aksesit në shërbimet bankare dhe rasti të raportohet pranë Policisë së Shtetit, Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike apo drejtorisë vendore të Policisë.
Policia e Shtetit u kërkon qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar ndaj çdo mesazhi, linku apo faqeje interneti që kërkon të dhëna personale, bankare ose kode verifikimi.
Mos klikoni. Mos jepni të dhëna. Verifikoni gjithmonë përmes kanaleve zyrtare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



