Vrasja e turistit portugez, 11 të arrestuar sot para Gjykatës Sarandë
Këtë të premte, 11 personat e arrestuar pas vrasjes së turistit portugez Luis Miguel Varela Mendes pritet të dalin para Gjykatës së Sarandës, ku do të njihen me masën e sigurisë.
Mes tyre është edhe Sokrat Lipan, i njohur edhe si Sokrat Vata, i dyshuar si personi që goditi me thikë 20-vjeçarin mbrëmjen e 17 gushtit në Ksamil.
Viktima, me banim në Francë, kishte mbërritur në Shqipëri vetëm dy ditë përpara ngjarjes, së bashku me tetë miq francezë. Atë mbrëmje, grupi kishte marrë pjesë në një festë me DJ francezë në klubin e kompleksit “Principote”.
Pas përfundimit të aktivitetit, mes turistëve dhe disa personave të tjerë ka nisur një debat, i cili më pas është përshkallëzuar në konflikt fizik. Sipas të dhënave të bëra publike nga hetimet, në përplasje janë përfshirë edhe punonjës të kompleksit.
Dyshimet për goditjen fatale
Sipas hetimeve të deritanishme, Davidi Heurtevent, shqiptar me nënshtetësi britanike dhe punonjës i “Principote”, dyshohet se ka goditur fillimisht në kokë 20-vjeçarin. Ai është shpallur në kërkim.
Më pas, sipas akuzës, Sokrat Vata dyshohet se e ka goditur Luis Miguel Varela Mendes me thikë, duke i shkaktuar plagë fatale. I riu humbi jetën në vendngjarje, në një shezlong pranë kompleksit.
Vata u arrestua më pas në zonën e Levanit. Sipas policisë, ai dyshohet se ishte fshehur në bagazhin e një automjeti ku ndodheshin shtetasit turq Nuh Mahmutoglu dhe Ezgi Perlak.
Në pranga edhe kamerierë dhe punonjës sigurie
Në kuadër të hetimeve janë arrestuar gjithashtu katër kamerierë të kompleksit “Principote”: Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Ildi Cekani dhe Murat Zhabina.
Sipas burimeve, ata dyshohet se kanë ndërhyrë gjatë konfliktit, por janë larguar përpara momentit kur 20-vjeçari është goditur me thikë.
Hetimet kanë çuar në pranga edhe katër persona të lidhur me sigurinë e kompleksit: Miosid Matushaj, oficer policie në Gjirokastër; Luciano Seferi, punonjës i Policisë së Burgjeve në Fier; Romeo Shehu, polic bashkiak në Gjirokastër; si dhe Kristi Koshi.
Sipas të dhënave të bëra publike, ndaj tyre janë ngritur dyshime se nuk kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe se nuk kanë njoftuar në kohë policinë për ngjarjen.
Në kërkim Davidi Heurtevent dhe Bekim Bulica
Ndërkohë, vijojnë kërkimet për Davidi Heurtevent dhe pronarin e kompleksit “Principote”, Bekim Bulica.
Ky i fundit dyshohet se ka qenë i pranishëm gjatë ngjarjes dhe se është larguar pa e kallëzuar atë pranë autoriteteve.
Seanca në Gjykatën e Sarandës pritet të përcaktojë masat e sigurisë për 11 të arrestuarit, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të dinamikës së vrasjes vijojnë.
Akuzat ndaj personave të përfshirë janë në fazën e hetimit dhe përgjegjësia penale e secilit do të përcaktohet nga organet e drejtësisë
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



