E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shehaj: Rama po mbyll faqet që mbështesin protestën!
Lajme

Shehaj: Rama po mbyll faqet që mbështesin protestën!

Janë harxhuar mijëra euro për të heshtur këdo

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka denoncuar mbylljen e disa faqeve në Instagram që, sipas tij, kanë qenë aktive në mbështetje të protestës qytetare, e cila vijon prej 87 ditësh.

Shehaj akuzon qeverinë shqiptare se qëndron pas një fushate për të goditur faqet që informojnë dhe mobilizojnë qytetarët rreth protestës. Sipas tij, për mbylljen e këtyre profileve janë paguar mijëra dollarë.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Shehaj bisedon me një prej protestuesve, i cili pretendon se faqja e tij në Instagram, me rreth 50 mijë ndjekës dhe afro 50 milionë shikime brenda një muaji, është mbyllur pas një ndërhyrjeje të paguar.

Protestuesi pretendon se personi që ka ndërhyrë për mbylljen e profilit i ka pranuar në komunikime private se ishte paguar për këtë veprim. Ai ka publikuar edhe screenshot-e të bisedës, të cilat i paraqet si provë të pretendimeve të tij.

“Qeveria jonë ka paguar 2 mijë deri në 10 mijë USD për të na bllokuar faqen në Instagram dhe për të na mbyllur gojën, që të shuhet protesta”, deklaroi qytetari.

Duke iu referuar pretendimeve të protestuesit, Shehaj ngriti pikëpyetje edhe për kostot e mundshme të ndërhyrjeve ndaj faqeve të tjera.

“Imagjinoni se sa kanë harxhuar me të gjitha faqet e tjera që kanë mbyllur”, u shpreh ai.

Kreu i Partisë Mundësia e cilësoi rastin si një përpjekje për të heshtur zërat kritikë dhe për të dobësuar protestën.

“Këtë mund ta bëjë vetëm një autokrat i korruptuar, të cilit i ka dalë boja”, deklaroi Shehaj.

Ai theksoi se protesta do të vazhdojë pavarësisht, sipas tij, përpjekjeve për të kufizuar përhapjen e saj në rrjetet sociale.

“Protesta vazhdon dhe do të vazhdojë derisa Edi Rama të japë dorëheqjen”, përfundoi Shehaj.

Pretendimet për pagesa dhe ndërhyrje të koordinuara për mbylljen e faqeve në Instagram janë akuza të palës denoncuese dhe, në materialin e bërë publik, nuk rezultojnë të verifikuara në mënyrë të pavarur.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.