U arrestua me Ergys Agasin, ish-efektivit Uljan Shpataraku i sekuestrohen 7 armë në banesë
Detaje të reja kanë dalë lidhur me Uljan Shpatarakun, ish-efektivin e Policisë së Shtetit, i cili u arrestua më 26 gusht bashkë me biznesmenin Ergys Agasi. Shpataraku u kap duke drejtuar automjetin me të cilin udhëtonte Agasi, i shpallur në kërkim nga SPAK.
Pas arrestimit, autoritetet kanë vijuar kontrollet dhe procedurat ndaj ish-efektivit. Në kuadër të këtyre veprimeve, atij i është hequr leja e armës dhe është sekuestruar arsenali që mbante në banesë.
Sipas të dhënave të bëra publike, bëhet fjalë për shtatë armë, konkretisht tre pistoleta, dy armë të tipit shotgun dhe dy pushkë. Raportohet se vetëm njëra prej pistoletave dyshohet se ishte e pajisur me leje, ndërsa pjesa tjetër është sekuestruar për verifikim të mëtejshëm.
Shpataraku, i cili ka mbajtur më herët detyra drejtuese në Policinë e Shtetit, u arrestua nën dyshimin për përkrahje të autorit të krimit, pasi u gjet në të njëjtin automjet me Ergys Agasin, i cili ishte në kërkim prej muajsh.
Ndërkohë, ndaj ish-efektivit raportohet se po verifikohen edhe të dhëna për një precedent penal të mundshëm jashtë Shqipërisë, i cili dyshohet se nuk është deklaruar. Çështja mbetet objekt i hetimeve të autoriteteve.
Për Shpatarakun pritet gjithashtu të vendoset masa e sigurimit nga GJKKO, ndërsa hetimet do të përcaktojnë rrethanat e plota të posedimit të armëve dhe lidhjen e tij me çështjen ku është përfshirë Ergys Agasi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



