Dokumentat e pronësisë, Kadastra bën njoftimin e rendësishëm
Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka njoftuar një mënyrë të re për trajtimin e banesave që ende nuk kanë dokumentacion të rregullt pronësie.
Procesi do të nisë nga Palasa, ku prej nesër ekipet e Kadastrës do të jenë në terren për një javë, me qëllim verifikimin e banesave pa dokumente. Pas përfundimit të fazës së parë, e njëjta skemë pritet të zbatohet edhe në fshatra të tjerë të vendit.
Drejtoresha e Përgjithshme e Kadastrës, Lorena Goxhobelli, ka bërë të ditur se kontrollet do të kryhen për të gjitha banesat që rezultojnë pa dokumentacion, pavarësisht nëse pronarët kanë paraqitur më herët një kërkesë pranë institucionit.
Sipas saj, procesi do të zhvillohet përmes ekipeve të posaçme dhe të lëvizshme, të cilat do të shkojnë pranë banesave dhe do të ndjekin procedurat në terren.
“Duke filluar nga nesër, Kadastra do të jetë në Palasë për një javë. Ekipet do të verifikojnë banesat njëra pas tjetrës dhe më pas ky model do të shtrihet edhe në zona të tjera”, është shprehur Goxhobelli.
Çfarë do të verifikohet në terren
Gjatë qëndrimit në zonë, specialistët do të kryejnë matjet e banesave, do të kontrollojnë dokumentet që disponojnë familjet dhe do të krahasojnë të dhënat e pronave me informacionin administrativ të Kadastrës.
Për pronat që përmbushin kërkesat e përcaktuara nga legjislacioni, do të vijojë procedura për marrjen e vendimit përkatës. Dokumenti do t’u komunikohet më pas qytetarëve përmes platformës e-Albania.
Një tjetër element i procesit është prania e vazhdueshme e ekipeve në zonën ku po kryhet verifikimi. Kjo do t’u mundësojë banorëve të kontaktojnë drejtpërdrejt me specialistët dhe të marrin informacion mbi ecurinë e çështjes së pronës së tyre.
Do të publikohet statusi i çdo banese
Në përfundim të procesit, Kadastra parashikon të bëjë publike të dhënat mbi statusin e banesave të verifikuara.
Në listë do të evidentohen rastet kur është marrë vendimi përkatës, dosjet që duhet të plotësohen me dokumente të tjera, përfshirë dëshmitë e trashëgimisë, si dhe rastet kur verifikimi nuk ka mundur të kryhet për shkak se specialistët nuk kanë pasur akses në banesë.
Kadastra u ka kërkuar banorëve të Palasës të bashkëpunojnë me ekipet në terren dhe të njoftojnë familjarët apo fqinjët për zhvillimin e procesit.
Institucioni u ka bërë gjithashtu thirrje familjeve që të sigurohen se gjatë momentit të kontrollit do të jetë i pranishëm një person në banesë, në mënyrë që verifikimi të mund të kryhet pa pengesa.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



