E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gjykata e Vlorës shpall të zhdukur Elvis Troqen
Lajme

Gjykata e Vlorës shpall të zhdukur Elvis Troqen

Tetë vite pas zhdukjes së Elvis Troqes, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë e ka shpallur zyrtarisht të zhdukur 24-vjeçarin, për të cilin nuk ka pasur më asnjë gjurmë që prej korrikut të vitit 2018.

Vendimi është marrë më 15 qershor 2026 dhe tashmë është publikuar në Fletoren Zyrtare. Në bazë të vendimit, Marsela Troqe, nëna e të riut, është caktuar kujdestare për administrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme që i përkasin djalit të saj.

Elvis Troqe humbi kontaktet me familjarët mbrëmjen e 17 korrikut 2018. Në atë periudhë, ai sapo ishte kthyer nga Italia, ku kishte përfunduar një dënim për trafikim të lëndëve narkotike.

“Më tha se kishte gjetur një vajzë dhe donte të fejohej”

Disa muaj pas zhdukjes, në nëntor të vitit 2018, babai i 24-vjeçarit rrëfeu për Report Tv momentet e fundit para se të humbnin gjurmët e djalit.

Ai tregoi se familja kishte organizuar një festë dhe se Elvisi ishte larguar nga banesa duke i thënë se do të kthehej shpejt.

“Në datën 17 korrik kisha ditëlindjen e nuses dhe të vjehrrës. Kisha prenotuar një lokal në Ujë të Ftohtë për 10 vetë. Në 7 pa njëzetë djali doli nga shtëpia, i thashë mos u vono, më tha nuk vonohem se do t’ju bëj dhe një surprizë.”

Sipas babait, i riu i kishte treguar se surpriza lidhej me një vajzë që kishte njohur dhe me të cilën dëshironte të fejohej.

“E pyeta çfarë ishte, më tha se kishte gjetur një vajzë dhe donte të fejohej me të.”

Por kur babai mbërriti në lokal, Elvisi nuk ndodhej aty. Pronari i lokalit i kishte thënë se i riu ishte larguar bashkë me një shok. Pas përpjekjeve për të kontaktuar personat që mund të dinin se ku ndodhej, familja iu drejtua policisë.

“Vajta në polici, bëra një kallëzim atë natë, të nesërmen bëra denoncimin”, tregoi babai i Elvis Troqes.

U pa duke hipur në një Mercedes-Benz

Gjatë hetimeve, autoritetet administruan të dhëna sipas të cilave Elvis Troqe ishte parë në rrugën kryesore, ku e priste një automjet tip Mercedes-Benz, me ngjyrë gri.

Sipas këtyre të dhënave, 24-vjeçari kishte përshëndetur drejtuesin e automjetit dhe më pas kishte hipur në të. Në automjet raportohej se ndodheshin edhe dy persona të tjerë.

Pas këtij momenti, gjurmët e të riut u ndërprenë.

Rrethanat e zhdukjes ngritën dyshime se nuk bëhej fjalë për një largim të zakonshëm. Në materialet e hetimit, Prokuroria e Vlorës kishte evidentuar elemente që lidhen me veprën penale të rrëmbimit të personit.

Në kuadër të hetimeve janë kryer edhe kontrolle në banesa dhe veprime të tjera procedurale. Një prej kontrolleve u krye në banesën e Inez Hajrullës, i cili në atë kohë deklaroi se kishte dalë për fizioterapi dhe se nuk e njihte Elvis Troqen.

Pavarësisht viteve që kanë kaluar, fati i 24-vjeçarit mbetet ende i paqartë. Vendimi i gjykatës për shpalljen e tij zyrtarisht të zhdukur vjen tetë vite pas humbjes së kontakteve me familjen.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.