Nëna e Santiago Malkos kallëzim në polici: Më dëmtuan varrin e djalit
Prokuroria e Tiranës ka hapur një hetim pas kallëzimit të Bukurie Malkos, nënës së Santiago Malkos, i vrarë në zonën e “Porcelanit” më 27 gusht 2019.
Nëna e viktimës ka denoncuar se është kërcënuar me jetë nga persona ende të paidentifikuar, të cilët, sipas dëshmisë së saj, janë shfaqur edhe në seancat gjyqësore ndaj të pandehurit Ilir Selmani. Sipas SPAK, Selmani është një prej personave të dyshuar për vrasjen e Santiago Malkos.
Kallëzimi është bërë në Komisariatin Nr. 4 në Tiranë. Bukurie Malko ka deklaruar se më 26 maj 2026 ishte e pranishme në një seancë gjyqësore në GJKKO, ku në sallë ndodheshin rreth 20 persona që ajo nuk i njihte.
Pas përfundimit të seancës, sipas rrëfimit të saj, një prej tyre, të cilin e përshkruan si një person të gjatë, iu afrua dhe i tha: “Ti ke gjuajtur me armë te Ura e Babrroit”.
Malko ka deklaruar se në atë moment kishte në dorë një palë çelësa, të cilët i ka hedhur në drejtim të personit, ndërsa punonjësit e Policisë e kanë larguar atë nga ambientet e gjykatës.
Sipas saj, i njëjti person ka vijuar ta kërcënojë edhe gjatë një seance tjetër gjyqësore. Ajo ka pretenduar se ai e shikonte vazhdimisht dhe i tundte kokën në mënyrë kërcënuese, me qëllim që ta intimidonte dhe ta pengonte të merrte pjesë në seancat gjyqësore.
Pretendimet për kërcënime jashtë gjykatës
Në kallëzimin e saj, Bukurie Malko ka deklaruar se kërcënimet nuk kanë ndodhur vetëm në ambientet e gjykatës.
Ajo ka treguar se në rrugë të ndryshme të Tiranës është ndjekur dhe kërcënuar nga persona që lëviznin me automjete, por nuk ka mundur të identifikojë targat.
Sipas dëshmisë, personat i kanë kërkuar të mos paraqitej në seancat gjyqësore. Ajo ka deklaruar gjithashtu se është dëmtuar edhe varri i djalit të saj.
“Këta persona më shajnë dhe kërcënojnë, duke u shprehur që mos të shkoj të paraqitem tek seancat gjyqësore. Gjithashtu këta persona më kanë kërcënuar dhe me varrin e djalit duke e dëmtuar atë”, ka deklaruar Malko në kallëzimin e depozituar në polici.
Hetimi tashmë është në dorë të autoriteteve, të cilat pritet të verifikojnë identitetin e personave të denoncuar, rrethanat e kërcënimeve dhe nëse ka lidhje mes tyre dhe çështjes gjyqësore për vrasjen e Santiago Malkos.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



