E diel, 29 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Çfarë fshihet pas trafikut nga Amerika Latine? Karamuço ngre alarmin
Lajme

Çfarë fshihet pas trafikut nga Amerika Latine? Karamuço ngre alarmin

“Po shkojmë drejt trefishimit të konsumit të drogave të forta në Shqipëri”

Sekuestrimi i 42 kilogramëve kokainë në Portin e Durrësit ka rikthyer vëmendjen te mënyrat përmes të cilave droga e fortë hyn në Shqipëri dhe më pas përfundon në tregjet europiane.

Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço deklaroi se trafiku i lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt Shqipërisë nuk është një fenomen i ri, por një aktivitet që, sipas tij, është konsoliduar prej vitesh.

Duke komentuar operacionin e fundit, Karamuço tha se ndër vite në Shqipëri janë futur sasi të mëdha droge përmes metodave dhe llojeve të ndryshme të ngarkesave. Sipas tij, një pjesë e kokainës së pastër përpunohet në territorin shqiptar dhe më pas futet në linja të tjera të trafikimit drejt qyteteve europiane.

“Ne kemi bllokuar importet nga Brazili. Autoritetet mbi kontrollet e ushqimeve së fundmi kanë marrë një vendim dhe kanë bërë bllokimin e të gjitha prurjeve. Nuk e di çfarë ngarkese është kjo dhe çfarë afati është lënë për kontratat e fundit”, u shpreh eksperti.

Ai nënvizoi se rrugët e përdorura nga grupet kriminale kanë qenë të ndryshme, duke përmendur edhe ngarkesa me pleh kimik apo forma të tjera transporti, në të cilat është fshehur kokaina.

“Ka një trafik ndër vite të konsoliduar nga Amerika Latine. Më së shumti kanë qenë sasitë e drogave që kanë hyrë në Shqipëri, plehu kimik dhe forma nga më të ndryshme, në të cilat është futur kokainë e pastër, e cila më pas është përpunuar në territorin shqiptar dhe më pas është shpërndarë në disa linja trafikimi, pastaj në qytetet europiane”, deklaroi Karamuço.

“Porti i Durrësit ka qenë jashtë vëmendjes”

Eksperti foli edhe për kontrollet në Portin e Durrësit, duke konstatuar një shtim të angazhimit të strukturave policore ndaj trafikut të drogave të forta.

Karamuço e cilësoi situatën si një “rizgjim” të institucioneve, ndërsa tha se porti për disa vite kishte qenë jashtë vëmendjes së Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera.

“Ka një rizgjim të angazhimit të policisë në kontrollin për droga të forta në Portin e Durrësit, një port, i cili duhet thënë që për disa vite ka qenë jashtë vëmendjes së Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera. Nuk mund ta them se kush kanë qenë shkaqet”, tha ai.

Duke u ndalur te sasia prej 42 kilogramësh kokainë e sekuestruar, Karamuço ngriti dyshimin se ngarkesa mund të ketë qenë fillimisht edhe më e madhe. Sipas tij, një pjesë e saj mund të jetë shpërndarë në destinacione të tjera përpara se të ndërhynin autoritetet.

Karamuço: Konsumi i kokainës në Shqipëri po rritet ndjeshëm

Përtej trafikut ndërkombëtar, eksperti ngriti shqetësimin për tregun e brendshëm të drogës dhe rritjen e konsumit të lëndëve narkotike të forta.

Sipas Karamuços, sasia e sekuestruar në Durrës mund të ketë qenë e destinuar edhe për tregun shqiptar, duke argumentuar se një pjesë e konsiderueshme e kokainës mund të përpunohej dhe të shpërndahej brenda vendit.

“Do ketë qenë një ngarkesë shumë më e madhe, e cila mund të jetë shpërndarë edhe në vendet e tjera. Mendoj se janë për tregun e brendshëm, 41 kilogramë janë për përpunim dhe për treg, sepse nuk ka leverdi për tregti ndërkombëtare. Po shkojmë drejt trefishimit të konsumit të drogave të forta, sidomos kokainës në Shqipëri”, deklaroi ai në emisionin “Ora e Fundit”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.