E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vuçiç jep dorëheqjen, tashmë synon postin e Kryeministrit
Bota

Vuçiç jep dorëheqjen, tashmë synon postin e Kryeministrit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pritet të formalizojë këtë mbrëmje dorëheqjen nga posti i kreut të shtetit, në një zhvillim që lidhet drejtpërdrejt me synimin e tij për të garuar për postin e kryeministrit.

Vuçiç ka njoftuar prej ditësh se do të largohet nga Presidenca më 27 shtator. Sipas njoftimit zyrtar të Presidencës serbe, ai do t’i drejtohet publikut sot në orën 20:00, në ndërtesën e Sekretariatit të Përgjithshëm të Presidentit të Republikës.

Më herët, gjatë qëndrimit në New York, Vuçiç kishte deklaruar se dorëheqjen do ta paraqiste në mbrëmje dhe se në të njëjtën kohë do t’u shpjegonte qytetarëve arsyet e vendimit.

Në një postim të publikuar në Instagram, presidenti serb u shpreh se mbajtja e postit të Presidentit të Serbisë kishte qenë për të nderi më i madh. Ai theksoi përkushtimin ndaj detyrës dhe shërbimit ndaj vendit.

“Të jem president i Serbisë ishte nderi më i madh për mua. U përpoqa çdo ditë të bëja më të mirën, të justifikoja besimin që më ishte dhënë dhe t’i shërbeja vendit tim me besnikëri dhe përkushtim. Rroftë Serbia!”, shkroi Vuçiç.

Në një video shoqëruese, kur u pyet se për çfarë do të donte të mbahej mend gjatë periudhës së tij në Presidencë, Vuçiç tha se dëshironte të kujtohej për përkushtimin dhe punën e tij.

Ai deklaroi gjithashtu se beson se vitet e fundit do të kujtohen si një periudhë e progresit dhe sukseseve të rëndësishme për Serbinë.

Synimi për postin e kryeministrit

Dorëheqja nga Presidenca vjen në kuadër të një riorganizimi politik që Vuçiç e ka paralajmëruar më herët.

Më 14 shtator, ai deklaroi se do të garojë për postin e kryeministrit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit.

Parlamenti serb është shpërndarë dhe zgjedhjet e parakohshme janë caktuar për 25 tetor, pas muajsh protestash studentore dhe antiqeveritare.

Vuçiç, i cili ka qenë në pushtet si president ose kryeministër për rreth 12 vjet, është përballur me protesta të gjata të udhëhequra nga studentët, të nisura pas shembjes së një pjese të çatisë së stacionit hekurudhor në Novi Sad në nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona.

Tashmë, vëmendja është përqendruar te fjalimi i tij i mbrëmjes. Presidenca ka konfirmuar se Vuçiç do t’i drejtohet publikut në orën 20:00, ndërsa pritet që në këtë komunikim të japë edhe detaje mbi vendimin për largimin nga posti dhe hapat e tij të ardhshëm politikë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.